Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takime të ndara ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës, George William Vella si dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Laszlo Szabo.
Kryeministri Mustafa, gjatë takimeve, i njoftoi për progresin në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik dhe integrime evropiane.
Duke e falënderuar për përkrahjen e Maltës dhe të Hungarisë, kryeministri Mustafa, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral me këto dy shtete mike, në të gjitha fushat.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maltës, George William Vella, ka vlerësuar progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e Maltës për zhvillimin ekonomik, integrime evropiane dhe proceset tjera të Kosovës.
Ministri Vella, po ashtu, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Maltës për thellimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve me Kosovën.
Ndërkaq, zëvendësministri i Jashtëm dhe Tregtisë i Hungarisë, Laszlo Szabo, duke vlerësuar të arriturat në Kosovë, theksoi gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në rrugën eurointegruese, përmes ofrimit të përvojave të Hungarisë.
Gjatë takimit me zëvendësministrin Szabo, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, një theks i posaçëm iu kushtua mundësive të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve hungareze në Kosovë.