Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ambasadorin gjerman Wolfgang Ischinger. Gjatë takimit u bisedua për proceset aktuale në Kosovë, për progresin që po arrihet në shumë fusha si dhe për bashkëpunimin e Kosovës me Gjermaninë.
Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania po jep për Kosovën, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu e falënderoi ambasadorin Ischinger për përkrahjen e tij personale për Kosovën në proceset shtetformuese dhe për mbështetjen që po vazhdon ta jap në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë pjesëmarrjen në Konferencën e Munihut për Siguri.
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa vlerësoi lartë konferencën e Munihut për Siguri, si një prej ngjarjeve vjetore më të rëndësishme globale që synon promovimin e zgjidhjes paqësore të konflikteve, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të dialogut në trajtimin e sfidave të sigurisë, ku marrin pjesë liderë të shteteve anekënd botës.
Kryeministri Mustafa e informoi edhe për progresin që po arrihet në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në shumë fusha, duke filluar nga zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të punës, forcimi i shtetit ligjor dhe sigurisë dhe proceset integruese evropiane.
Ambasadori Wolfgang Ischinger vlerësoi lartë progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke shprehur përkrahje të mëtejshme për proceset në Kosovë.
Ambasadori Ischinger u interesua edhe për zhvillimet tjera në Kosovë dhe e ftoi kryeministrin Mustafa që të marr pjesë sërish në konferencën e radhës të Munihut për Siguri, që do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
Gjatë takimit u bisedua edhe për proceset tjera aktuale në Kosovë dhe në rajon.