Kryeministri Mustafa premton përkrahje për zhvillimin e Komunës së Kamenicës
/2L ONLINE/ – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Komunën e Kamenicës, ku është informuar nga kryetari Begzad Sinani për punën dhe rezultatet e kësaj komune në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Gjatë vizitës, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, kanë vizituar edhe Palestrën Sportive në Kamenicë, e cila është në përfundim.
Kryeministri Mustafa tha se gjatë takimit me kryetarin Sinani është bërë një vlerësim i punëve të cilat janë biseduar edhe në takimin e vjeshtës së kaluar në Kamenicë.
“Vlerësuam se disa prej tyre kanë ecur mirë. Vlerësuam po ashtu se ka nevojë që të bëhen investime edhe në disa fusha me prioritet, në fushën e arsimit, në disa shkolla të fshatrave ku kemi shkolla të vjetra të viteve të 60-ta, të cilat nuk plotësojnë as kushtet minimale. Është fjala për tri mjedise të tilla. Pastaj të investojmë në rrugë edhe pse janë disa rrugë të cilat janë planifikuar përmes Ministrisë së Infrastrukturës që të zhvillohen në këtë vit, do të bëhen në marrëveshje me komunën. Në fushën e objekteve sportive, po arrihet që të përmbyllet një palestër sportive që ka filluar shumë herët dhe tani është në përfundim e sipër”, tha kryeministri Mustafa.
Ai ka veçuar rëndësinë e krijimit të një ambienti për tërheqjen e investimeve, qoftë përmes bashkatdhetarëve që punojnë në vende perëndimore qoftë ardhjes së investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë, duke përmendur edhe një rast shumë të mirë të prodhimit të paneleve solare, për të cilat po bëhen përgatitjet nga komuna me investitorët nga Zvicra.
“Do t’i përkrahim edhe investimet tjera, për çka komuna mund të shpreh gatishmërinë karshi ndryshimeve të ligjeve të cilat ne do të bëjmë, në mënyrë që të krijojmë një ambient më të mirë”, tha kryeministri Mustafa.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, duke e falënderuar kryeministrin Mustafa për vizitën e ka informuar për realizimin e projekteve.
“Ne po përfundojmë me sukses disa nga projektet e mbetura nga vitet e kaluara, dhe po realizojmë projekte të reja për të përmirësuar infrastrukturën në Kamenicë dhe për të krijuar kushte sa më të mira edhe për zhvillim ekonomik e në veqanti për investitorët e jashtëm. Nga qeveria e Kosovës presim një përkrahje edhe më të madhe gjatë rishikimit të buxhetit, premtim ky që e kemi marrë edhe në takimet në Ministrinë e Financave, Kamenica ka nevojë për rregullimin e rrjetit të rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, objekteve shkollore dhe projekte të tjera të rëndësishme për qytetarët tanë”, tha kryetari Sinani duke folur për të gjitha projektet në mënyrë të veçantë.
Në fushën e sigurisë Kryetrari Sinani ngriti çështjen e problemit të lëvizjes së lirë në Karaqevë.
Kryetari Sinani së bashku me Kryeministrin Mustafa dhe zyrtarët e tjerë vizituan Palestrën e Sporteve në Kamenicë. Tashmë është hapur tenderi për fazën e tretë të punimeve në këtë palestër dhe sipas zëvendëskryeministrit Shala ajo do të jetë e gatshme gjatë këtij viti. /2L ONLINE/




