DYLON

Kryeministri Mustafa ndau shpërblimin shtetëror për kampionen evropiane në xhudo Majlinda Kelmendi

Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndau shpërblimin shtetëror për xhudisten Majlinda Kelmendi, fituese e Medaljes së Artë në Kampionatin Evropian të Xhudos që u mbajt në Rusi. Gjatë kësaj ceremonie, po ashtu u ndanë çmimet edhe për Nora Gjakovën, fituese e Medaljes së Bronztë në këtë kampionat, si dhe për trajnerin e xhudisteve, Driton Kuka.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, zyrtarë të tjerë shtetëror dhe përfaqësues të medieve.

EkoHigjiena

Kryeministri Mustafa ka shprehur edhe një herë mirënjohjen dhe vlerësimet më të larta për Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën si dhe kryetarin e Federatës dhe trajnerin për punën e mrekullueshme dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në Rusi, por edhe në vendet tjera.

“Është fjala për sportistët të cilat kanë arrit kulmin me medalje botërore dhe me medalje evropiane. Unë dëshiroj sot në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’iu uroj suksese, t’iu shpreh po ashtu një mirënjohje shumë të madhe për afirmimin e Kosovës, afirmimin e të rinjve të Kosovës jashtë dhe sporteve të Kosovës, që është një mënyrë shumë më e mirë e zëdhënies për atë çfarë është vlerë e Kosovës, vlerë e rinisë së Kosovës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.

Duke iu uruar për suksesin shumë të madh që e kanë arritur, kryeministri Mustafa po ashtu shprehu domosdonë që Qeveria e Republikës së Kosovës të përkrah edhe më shumë xhudon dhe sportet e tjera.

Kampionia evropiane në xhudo, Majlinda Kelmendi, tha se sot ishte hera e parë që në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve është prezent kryeministri i shtetit të Kosovës.

“E falënderoj shumë. Po më duket që dita ditës politikanët po e pëlqejnë shumë e më shumë sportin e xhudos dhe normal që më vjen mirë për këtë. Po shpresoj shumë se do të kthehemi me sukses pas Lojërave Olimpike në Rio. Shpresoj që sporti në Kosovë të përkrahet shumë më shumë, sepse po e dëshmojnë sportistët që janë ambasadorët më të mirë të shtetit, edhe që sporti nuk është luks, siç po e konsiderojnë disa njerëz. Duhet të përkrahet sporti në Kosovë sepse të rinjtë e Kosovës kanë perspektivë dhe munden të arrijnë shumë lartë”, tha Majlinda Kelmendi.

Fituesja e medaljes së bronztë, Nora Gjakova, theksoi se është kënaqësi për ta kur rezultatet që i arrijnë kurorëzohen me pritje të tilla, me respekt të tillë nga të gjithë, sidomos në mënyrë institucionale.

“Më vjen mirë që tani pas çdo suksesi kemi pse të kthehemi, na presin gjithmonë shpërblime të ndryshme, të cilat i vlerësojnë medaljet tona”, tha Nora Gjakova.

Trajneri Driton Kuka, ka ritheksuar një fjali të thënë nga kryeministri Isa Mustafa gjatë konferencës në aeroport, i cili ka thënë se “mesazhi i këtyre medaljeve është mesazh për Evropën, sepse Majlinda dhe Nora janë vlera të cilat Evropa duhet t’i ketë në mesin e tyre, dhe është mesazh ndoshta për ata që po hezitojnë të na lejojnë të lëvizim të lirë”.

Më tutje, Kuka tha se është kënaqësi që janë nxënëset e tij ato me të cilat po krenohet kombi dhe shteti i Kosovës.

“Do të vazhdojmë të punojmë edhe më tutje. Është mirë që po gjejmë mbështetje në institucionet tona shtetërore. Shpresoj se edhe në të ardhmen do të vazhdoj ky bashkëpunim i shkëlqyer. Shpresoj se edhe nga Lojërat Olimpike të kthehemi me sukses. E kemi arsyetuar epitetin që sporti është ambasadori më i mirë i shtetit”, tha Driton Kuka.

Shpërblimet shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore janë ndarë në bazë të Rregullores Nr. 15/2013 për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare. Sipas saj, fituesja e Medaljes së Artë shpërblehet me shumën prej 20 mijë euro ndërsa fituesja e Medaljes së Bronztë shpërblehet me 8 mijë euro. Ndërkaq, trajneri shpërblehet me gjysmën e shumës së fituesve, 10 mijë, përkatësisht 4 mijë euro.