Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori sot pjesë në akademinë përkujtimore për piktorin e ndjerë, Akademik Gjelosh Gjokaj, që u mbajt në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Akademik Gjokaj u kujtua për krijimtarinë e tij të veçantë artistike dhe lidhjen e veçantë me vendlindjen.
Kryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami, vlerësoi lartë punën e akademik Gjokajt, anëtar i jashtëm i kësaj Akademie, i cili kishte kontribuar edhe në edukimin e gjeneratave të para të artistëve të rinj gjatë kohës sa ishte pedagog në Degën e Arteve Figurative në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë.
“Vdekja e maestros Gjelosh Gjokaj është para së gjithash humbje e madhe për familjen, për miqtë, për artistët, për njeriun që e përfaqësoi kulturën dhe artin shqiptar denjësisht anekënd botës, për njeriun e urtë dhe dashamirës, humbje për miqtë dhe kolegët e tij në Kosovë, por edhe për ne në Akademi që e njihnim dhe e çmonim shumë”, theksoi kryetari Islami.