DYLON

Kryeministri Kurti vizitoi familjet e tre policëve të rrëmbyer dje nga forcat serbe

Kryeministri Kurti vizitoi familjet e tre policëve të rrëmbyer dje nga forcat serbe
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.

Në Mitrovicë, Kryeministri u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar. Familjarët vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën.

EkoHigjiena

Në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri.

Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. Ata e falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij.

Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, kryeministri Kurti pastaj vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen.

Kryeministri ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, në atë pjesë ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale.

Familjarët u shprehën falënderues për vizitën dhe kujdesin e treguar, dhe theksuan besimin e plotë në institucionet e Republikës së Kosovës. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.