Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të objekti të ri të po kësaj agjencie.
Fillimisht kryeministri Kurti dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është pritur në takim nga zv.drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, i shoqëruar nga drejtorë dhe stafi i kësaj agjencie, ku krahas takimit vizituan zyrat dhe qendrën e të dhënave kadastrale.
Agjencia Kadastrale e ka një rol të rëndësishëm për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale, regjistrave pronësor, për hartografe dhe sistemit të informacioneve gjeografike GIS, për infrastrukturë kombëtare të informacioneve hapësinore si dhe administrim të infrastrukturës së teknologjisë së informacioneve. Andaj, kryeministri Kurti tha se përkrahja e qeverisë për këtë institucion nuk do të mungojë, sepse nevojiten procese që zhvillohen në mënyrë transparente, të qasshme për qytetarët dhe të jenë në hap me kohën.
Ai tha se po bëhen ndryshime transformuese në shumë pjesë të institucioneve dhe të administratës shtetërore, e edhe këtu, duke kujtuar se për 20 vite përafërsisht 20 milionë euro janë investuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ndërsa tash gjatë qeverisjes dy vjeçare janë duke u investuar edhe rreth 16 milionë euro. “Pra, sa është investuar 20 vite nga qeveritë paraprake marrë bashkërisht ato, 80 për qind të asaj shume është duke u investuar vetëm deri në gjysmën e mandatit tonë”, u shpreh kryeministri.
Duke qenë të vetëdijshëm, që kadastri për një shtet është pasqyra në të cilën ai vend e shikon veten, kryeministri tha se duhet ta kemi sa më të saktë atë, që ta dimë se kush jemi e si dukemi.
Me këtë rast, ai tha se një sfidë e vazhdueshme e projekteve infrastrukturore kanë qenë shpronësimet. “Ato shpeshherë janë keqpërdorur në kurriz të qytetarëve. Kjo për ne është e papranueshme dhe e patolerueshme, andaj puna e mirë dhe e drejtë është synimi ynë i vetëm”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë vizitës, që ishte njëherësh edhe vizita e parë e një kryeministri në këtë agjenci të rëndësishme, ai u njoftua nga zv. Drejtori i Përgjithshëm, Ahmeti për aktivitetet dhe projektet që kjo agjenci ka në zbatim, ku u veçuan puna për shënimin e emrave dhe numrave të rrugëve, që tashmë është finalizuar në 11 komuna gjithsej, për përmirësimin e të dhënave të pronarëve, rrjetin e nivelimit dhe gjeoportalin e ri.
Pas vizitës dhe takimit aty, kryeministri Kurti, ministri Aliu dhe punonjës të Agjencisë së bashku me zv. Drejtorin Ahmeti, morën pjesë në vënien e gurthemelit të objektit të ri të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me hapësirë rreth 4 mijë metra katrorë dhe me vlerë prej 2.1 milionë euro.
Ai tha se shteti është ai, i cili bën shënjim, bën emërtim, vë emra e numra. Deri më tash, në 11 komuna të Kosovës e kemi të përmbyllur çështjen e numrave të objekteve dhe emrave të rrugëve dhe përbrenda dy viteve do ta përmbyllim këtë proces në gjithsej 38 komuna anembanë Republikës sonë. /2LONLINE/