DYLON

Kryeministri Kurti u takua me presidentin e Turqisë, Erdoğan

Kryeministri Kurti u takua me presidentin e Turqisë, Erdoğan
Avatar photo Redaksia

Në nisje të punimeve të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Kryeministri Kurti e falënderoi Presidentin Erdoğan për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit të tij, në diplomaci sikurse edhe për fuqizimin tonë ushtarak, bashkëpunimin në vënien e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin në NATO.

EkoHigjiena

Po ashtu, ai shprehu mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e Gjeneralmajor Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në vendin tonë.

Kosova dhe Turqia kanë vazhduar forcimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare me ç’rast ato arrijnë në vlerën prej 1 miliard dollarësh, me synimin që të rriten më shumë në të ardhmen. Po ashtu, janë rritur edhe investimet në Kosovë ku së fundmi kemi nisjen e fabrikës së re të municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec, që janë në bashkëpunim me kompani nga Turqia.

Në takim kryeministri Kurti diskutoi edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel.

Çështje tjetër, të cilën e ngritën kryeministri Albin Kurti bashkë me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, ishte diskriminimi i vazhdueshëm dhe sistematik i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar atje, nga pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave e nënpërfaqësimi në secilin institucion shtetëror atje. Kryeministri thekoi se simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet përkatëse është qasja dhe mënyra e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe barabartë.

Kosova dhe Turqia do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet miqësore, sikurse do të rrisin e forcojnë edhe relacionet ekonomike e tregtare. Në përfundim të takimit, Kryeministri Kurti e ftoi Presidentin Erdoğan për një vizitë në Republikën e Kosovës. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.