DYLON

Kryeministri Kurti u takua me kongresistin amerikan Mike Lawler

Kryeministri Kurti u takua me kongresistin amerikan Mike Lawler
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara me rastin e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të dielën u takua me kongresistin amerikan nga Partia Republikane, Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Kryeministri Kurti e falënderoi kongresistin Lawler për anëtarësimin e tij në Kaukusin për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, si dhe për bashkëpropozimin e rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i rëndësishëm i Kosovës.

EkoHigjiena

Kryeministri e informoi kongresistin për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë votimin e Qeverisë së re në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 13 shtator, si dhe për gatishmërinë e Qeverisë për rifillimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, me një agjendë konkrete për sigurinë, energjinë, investimet dhe sundimin e ligjit.

Po ashtu u theksua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dypalësh, ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fushën e mbrojtjes. Ndërsa, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë, sidomos në energji, teknologji dhe prodhim, si dhe për rolin e mërgatës shqiptare në New York si urë për tregti dhe investime.

Në këtë takim, pjesë e të cilit ishte edhe deputeti Shaip Kamberi, kryeministri Kurti e njoftoi kongresistin Lawler për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai theksoi se, pas njëzet e pesë vjetësh dhe katër kornizash integruese, Komisioni Evropian konstatoi në vitin 2025 se plani i fundit për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione ende nuk ka dhënë rezultate të matshme.

Ai theksoi se përfaqësimi i tyre në institucione mbetet shumë larg në raport me popullsinë. Kryeministri ngriti edhe çështjen e pasivizimit të adresave, që prek mijëra shqiptarë dhe që ka pasoja të drejtpërdrejta në të drejtën e votës dhe në pajisjen me dokumente identifikimi, si dhe për adresimin e kësaj çështjeje.

Kryeministri Kurti foli edhe për aktgjykimin e padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata.

Kryeministri tha se pretendimi për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës, sikurse ra edhe pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile.

Kryeministri Kurti theksoi se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë. Ndërsa shtoi se shqetësuese mbetet jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike.

Në fund të takimit, Kryeministri Kurti e ftoi kongresistin Lawler për një vizitë në Republikën e Kosovës, bashkë me një delegacion të Kongresit amerikan.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.