DYLON

Kryeministri Kurti takon Sekretarin e shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, z. Lammy

Kryeministri Kurti takon Sekretarin e shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, z. Lammy
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Sekretarin e shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, David Lammy.

Në bashkëbisedimin e ngrohtë, kujtuan zhvillimet e vitit 1999 dhe rolin vendimtar të Britanisë së Madhe në çlirimin e Kosovës nën drejtimin e laburistëve Tony Blair dhe Robin Cook. Kryeministri e falënderoi z. Lammy për kontributin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës.

EkoHigjiena

Në këtë takim, Kryeministri Kurti theksoi progresin në Kosovë, duke përmendur faktin që përkundër krizës botërore me pandeminë COVID-19 dhe krizën energjetike, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme. Së bashku me përmirësimet në indekset e demokracisë dhe sundimin e ligjit që renditin Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe që kërkojnë near-shoring, theksoi Kryeministri.

Kryeministri Kurti veçoi mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe investimet në sektorin energjisë.

Ndërsa z. Lammy ofroi bashkëpunimin e tij, ai theksoi nevojën e identifikimit sa më shumë fusha të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të dy vendeve, ashtu që Britania e Madhe të mund të ndihmojë sa më shumë Kosovën.

Në takim u diskutua edhe për çështjet aktuale, duke përfshirë dialogun dhe nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe çështjet e sigurisë.

Kryeministri Kurti, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe në luftimin e akterëve malinj që synojnë destabilitetin e Kosovës dhe rajonit. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.