Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi sot hulumtuesit e lartë në Këshillin Atlantik (Atlantic Council), Damir Marusic dhe Rachel Rizzo.
Përgjatë takimit, u diskutua për situatën e përgjithshme politike në Kosovë dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimin e Republikës së Kosovës për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me njohje reciproke në qendër të saj. Kryeministri Kurti dhe hulumtuesit e lartë Marusic dhe Rizzo ndanë këndvështrimet e tyre edhe mbi agresionin dhe invazionin rus në Ukrainë, pasojat për kontinentin e Evropës dhe sigurinë e rajonit.
Si një nga vendet e para që iu është bashkëngjitur sanksioneve të BE-së, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër Federatës Ruse, kryeministri Kurti u shpreh se Republika e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë se është aleate e vlerave demokratike dhe partnere e aleancës euro-atlantike të cilës synon dhe duhet t’i bashkohet.
Me seli qendrore në Washington D.C., Këshilli Atlantik, i themeluar me 1961, është një think-tank amerikan që mbulon fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. /2lonline/