Mundësitë e rritjes së bashkëpunimit me theks në investime ekonomike dhe në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional u diskutuan në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti pati me Ministren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Bavarisë, znj. Melanie Huml.
Kryeministri Kurti e falënderoi ministren Huml për përkrahjen e vazhdueshme dhe investimet gjermane në Kosovë. Në Bavari jeton numër shumë i madh i mërgatës sonë dhe kjo lidhje e fortë është një shans i mirë për shtimin e investimeve të Bavarisë, por edhe të Gjermanisë në përgjithësi, tha kryeministri Kurti.
Si rezultat të parë të bashkëpunimit të afërt me mërgatën në Gjermani, kryeministri Kurti theksoi marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe “Besa Foundation” në fushën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional. Ky Memorandum i Mirëkuptimit do të mbështetë bashkëpunimin ndërmjet akterëve relevantë, me qëllim të lehtësimit dhe zbatimit të dialogut nacional në Republikën e Kosovës.
Modeli gjerman i sistemit dual të arsimit është treguar i suksesshëm dhe kryeministri kërkoi që Bavaria të ndihmojë me përvojën dhe përkrahjen në këtë fushë.
Një aspekt tjetër që do të kontribuonte në shtimin e investimeve do të ishte edhe hapja e një zyre ekonomike bavareze në Prishtinë, tha kryeministri Kurti.
Ministrja Huml përgëzoi kryeministrin për të arriturat dhe progresin në Kosovë dhe shprehu përkrahjen dhe angazhimin e mëtejmë të Bavarisë për një perspektivë më të qartë për rrugën e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik.
Gjithashtu, ajo përshëndeti renditjen e Kosovës përkrah botës demokratike në sanksionimin e Rusisë, pas invazionit dhe agresionit në Ukrainë, si edhe për gatishmërinë për të pranuar 5000 refugjatë.
Kryeministri Kurti foli për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, ministrja Huml theksoi nevojën për kthimin e vëmendjes dhe riorientimin e investimeve në këtë rajon. /2LONLINE/