Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim një delegacion të Komisionit për Integrime Evropiane nga Kroacia, të udhëhequr nga kryetari i këtij komisioni Domagoj Hajduković. Në takim ishte edhe deputetja Ermina Lekaj Prljaskaj, kryetare e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kroaci-Shqipëri.
Kryeministri Kurti e falënderoi delegacionin parlamentar kroat për vizitën e sotme, derisa i njoftoi të pranishmit për të arriturat e qeverisë në fushën e ekonomisë, në avancimin e demokracisë dhe menaxhimin e mirë të pandemisë.
Duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dyja vendeve, kryeministri Kurti njëkohësisht e falënderoi Kroacinë për bashkëpunim, sidomos në fushën e sigurisë.
Në këtë takim shumë miqësor, kryeministri Kurti po ashtu kërkoi bashkëpunim e mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, por edhe në procese tjera në të cilat Kroacia ka përvojë edhe ekspertizë.
Nga ana tjetër, kryetari i këtij komisioni Domagoj Hajduković e falënderoi kryeministrin për mikpritjen. Gjatë diskutimit rreth agresionit rus në Ukrainë, kryetari Hajduković vlerësoi pozicionimin e qartë të Kosovës në sanksionimet e vendosura ndaj Rusisë duke thënë se nuk është koha për të qenë neutral.
Teksa theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes Kroacisë dhe Kosovës, z. Hajduković shprehu mbështetjen dhe përkrahjen e shtetit kroat për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe ndihmën për proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ai propozoi që të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi mes Komisionit për Integrimeve Evropiane në Parlamentin e Kosovës dhe Komisionit për Integrimeve Evropiane në Parlamentin e Kroacisë për të ndihmuar anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në takim u bisedua edhe për komunitetin shqiptar në Kroaci dhe atë kroat në Kosovë dhe për krijimin e mundësive dhe shanseve të barabarta për zhvillim dhe jetë më të mirë. /2LONLINE/