DYLON

Kryeministri Kurti priti delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR)

Kryeministri Kurti priti delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR)
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), të prirë nga Vessela Tcherneva, Zëvendësdrejtore dhe Shefe e zyrës së ECFR në Sofje.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit dhe krijimin e vendeve të punës, në mënyrë që të ofrojmë mundësi të barabarta për të gjithë.

EkoHigjiena

Ai veçoi synimet për krijimin e një ambienti të favorshëm për të tërhequr investitorët e huaj drejt krijimit të një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimit të vendit.

Kryeministri theksoi se zgjedhjet demokratike dhe fitorja, bazuar në përkrahjen masive e qytetarëve kanë sjellë rezultate pozitive në të gjitha fushat. Ai vuri theksin te rritja e hovshme e ekonomisë, që sipas Bankës Botërore është 9,9%.
Për shkak të rritjes së besimit të qytetarëve në qeveri janë rritur edhe të hyrat buxhetore, investimet e jashtme si dhe remitancat nga diaspora. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar në shëndetin dhe rritjen e ekonomisë, tha kryeministri.

Delegacioni u interesua për zhvillimet e gjithmbarshme në vend në këta shtatë muaj të qeverisjes, me theks në bashkëpunimin rajonal dhe bisedimet me Serbinë.

Në fushën e bashkëpunimit rajonal, Kosova është pro bashkëpunimit dhe integrimit në kuadër të agjendës evropiane dhe me prezencën e pjesëmarrjen e BE-së. Kryeministri potencoi se bashkëpunimi duhet të jetë ekonomik por edhe i bazuar në vlera ku avancojmë të drejtat dhe liritë.

Bisedimet me Serbinë janë për statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku zgjidhen çështjet e pazgjidhura sikurse borxhet, dëmet e luftës e reparacionet, e që rezulton me njohje reciproke, tha kryeministri.

U bisedua edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, për çka përfaqësuesit e ECFR shprehen brengën për vonesën në këtë proces.

Delegacioni nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë shprehu mbështetje për punën dhe objektivat e Qeverisë.

Pjesë e delegacionit nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ishin: Sylvia Kauffmamn, Drejtore editoriale e Le Monde, njëherit anëtare e Këshillit të ECFR, Hannes Swoboda, President, Instituti Ndërkombëtar për Paqe, ish-deputet i Parlamentit Evropian, Vesna Pesic, deputete; ish ministre e Jashtme e Kroacisë, Engjëllushe Morina, anëtare e lartë e politikave, Programi Wider Europe , Maria Simeonova, Koordinatore e Programit, zyra e Sofjes dhe Ballkani Perëndimor, Ivan Vejvoda, Drejtor, Projekti i Evropës dhe Anëtar i Përhershëm, Instituti për Shkenca Humane. /2LONLINE.com/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.