DYLON

Kryeministri Kurti: Mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë, të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët

Kryeministri Kurti: Mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë, të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët
Avatar photo Redaksia

Të mohosh krimet gjenocidale që i ka faktuar dhe dënuar një botë e tërë dhe të përsëritësh vazhdimisht si kërcënim mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës martire, do të thotë të qëllosh edhe të rënët e pavdekshëm edhe të gjallët e mbijetuar, do të thotë të shënjestrosh edhe ëndrrat dhe idealet e brezave të ri që vijnë, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë përkujtimore për 45 viktimat e Masakrës së Reçakut, të cilët u vranë dhe u masakruan sot e 23 vjet më parë.

Kryeministri Kurti tha se mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë në mënyrë që të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët. Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. Është ajo që Elie Wiesel e ka quajtur një “vrasje e dyfishtë”, tha ai.

EkoHigjiena

Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun, tha kryeministri, njësoj qysh nuk mund të shkruhet pa Prekazin, Mejën, Krushën e Madhe e Krushën e Vogël, Dubravën, Poklekun, Rezallën, Izbicën, Gjakovën, Qyshkun, Lybeniqin, Pastaselin, Arbrinë e Epërme, Qirezin e Likoshanin e shumë vende të tjera të Kosovës që ishin viktima të mbi 400 masakrave gjatë luftës së fundit të viteve ’98 e ‘99, dëshmi këto të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

“Unë, sa herë që vij në Reçak, ndjej përulje ndaj fshatarëve të Reçakut. Atë që e ka dokumentuar Human Rights Watch, KMDLNj, Fondi për të Drejtën Humanitare, është më së miri e rrëfyer në dhimbjen dhe traumën e fshatarëve të Reçakut dhe familjarëve të viktimave. Kjo histori nuk mund të harrohet dhe as të rishkruhet”, tha kryeministri Kurti.

Në këtë ceremoni përkujtimore të organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, fjalën mbajtën edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemail Aliu, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier dhe Nazif Shabani, i biri i Ramë Shabanit, i mbijetuar i Masakrës së Reçakut.

Ndërsa ambasadori amerikan William Walker, i cili në janar të vitit 1999 udhëheqte misionin e vëzhguesve të OSBE-së dhe ia kishte zbuluar dhe identifikuar bashkësisë ndërkombëtare krimin e forcave policore serbe në Reçak, iu drejtua të pranishmëve në ceremoninë përkujtimore nëpërmjet një video mesazhi, në pamundësi për të qenë fizikisht prezent shkaku i pandemisë.

Në fund të ceremonisë ansambli i tunxhit të Filharmonisë së Kosovës interpretoi tri vepra muzikore në nderim të viktimave dhe dëshmorëve të Reçakut. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.