Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë sot vendim, nëpërmjet të cilit obligohen organet e administratës shtetërore që gjatë vitit 2022 të plotësojnë kuotën për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Po ashtu, obligohen organet e administratës shtetërore që të ndërmarrin veprime për të siguruar qasje në institucione për të punësuarit me aftësi të kufizuara, në pajtim me këtë ligj.
Me këtë vendim që hyn në fuqi nga sot, obligohen institucionet përgjegjëse për zbatimin e tij, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, më 3 dhjetor 2021, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpallur vitin 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës dhe ka miratuar kalendarin e aktiviteve.
Vendimi i sotëm është pjesë e këtij kalendari të aktiviteteve të planifikuara për vitin 2022, e që përmban një grup ambicioz aktivitetesh që fokusohen në shëndetësi, drejtësi, siguri, edukim, arsimim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport. /2LONLINE/