DYLON

Kryeministri Kurti ka pritur në takim një grup studentësh dhe të rinjsh nga mërgata

Kryeministri Kurti ka pritur në takim një grup studentësh dhe të rinjsh nga mërgata
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim një grup studentësh dhe të rinjsh nga mërgata, anëtarë të shoqatës Albanian Youth Organization Mannheim/Heidelberg (AYO), VaS, Shoqatës Studentët Shqiptarë Stuttgart dhe Social Studies Diversity and Inclusion Expert, me të cilët bashkëbiseduan e shkëmbyen ide për mundësitë se si mund të kontribuojnë në Kosovë.

Në takim u diskutua për shërbimet që i ofrojnë mërgatës institucionet e Kosovës dhe për projektet e mundshme në të ardhmen nëpërmjet të cilave do të mund të ndërtoheshin ura bashkëpunimi midis rinisë në Kosovë dhe asaj në mërgatë.

EkoHigjiena

Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin e profesionistëve të mërgatës në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, në zbatimin e politikave, si dhe për investime të përbashkëta me ndërmarrjet vendore.

Ai përmendi nismat e qeverisë për një program nacional për transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata  në Kosovë, dhe thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushat e arsimit dhe inovacionit.

Kryeministri tha se ne po e ndryshojmë qeverisjen për të mirë, por mund të duhet pak më shumë kohë që ‘brain-drain’ të fillojë të ndryshojë kursin për mirë dhe përfundimisht të bëhet një kthesë e fortë e ‘brain-gain’.

Të kesh njerëzit dhe profesionistët e duhur në vendet e duhura është thelbësore, prandaj ne jemi shumë të interesuar si qeveri për të tërhequr profesionistë të talentuar, brenda apo jashtë vendit, theksoi ai.

Të rinjtë nga mërgata e njoftuan kryeministrin për aktivitetet e shoqatës dhe organizatave të tyre dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim me të rinjtë nga Kosova. /2LONLINE/