DYLON

Kryeministri Kurti i ofron sektorit privat partneritet për një zhvillim të hovshëm ekonomik

Kryeministri Kurti i ofron sektorit privat partneritet për një zhvillim të hovshëm ekonomik
Avatar photo Redaksia

Fuqizimi i sektorit privat, promovimi i potencialeve për investime dhe i eksporteve të Kosovës, por edhe avancimi i dialogut publiko-privat ishin në thelb të diskutimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, me lidershipin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Në takim me Bordin e Guvernatorëve të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi rolin e rëndësishëm që ka sektori privat edhe në krijim të vendeve të punës por edhe në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik. Ai lavdëroi sektorin privat për qëndrueshmërinë përgjatë viteve pavarësisht konkurrencës së madhe rajonale e globale, por edhe mungesës së përkrahjes së shtetit në të kaluarën. Ai tha se fokusi i ardhshëm duhet të jetë në fuqizimin e diplomacisë ekonomike por edhe kapaciteteve institucionale për promovim të investimeve të huaja. Kryeministri shprehu qartazi vullnetin e tij të mirë për dialogim të mirëfilltë me sektorin privat në Kosovë, për të mundësuar, mes tjerash një mjedis për zhvillim të qëndrueshëm dhe të hovshëm ekonomik.

EkoHigjiena

Presidentja e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane Afrore Rudi ofroi partneritetin e sinqertë të Odës Amerikane për ofrim të rekomandimeve për sfidat me të cilat ballafaqohet sektori privat. Ajo sqaroi se Oda Amerikane i organizon përpjekjet e saj avokuese përmes të gjashtëmbëdhjetë komiteteve që funksionojnë në kuadër të Odës Amerikane ku gërshetohet edhe ekspertiza e industrive të ndryshme që përfaqësohen në Odën Amerikane.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka prezantoi prioritetet e reja avokuese të organizatës, duke përfshirë kërkesën për një mekanizëm të centralizuar për dialogim publiko-privat që do të funksiononte në kuadër të zyrës së kryeministrit, e përmes të cilit odat ekonomike do të mund të adresonin shqetësimet e ndërmarrjeve të sektorit privat. Oda Amerikane propozon edhe strukturimin e Agjencisë për Promovim të Investimeve dhe Ndërmarrjeve të Kosovës ose ndonjë trupi tjetër të ri për promovim të investimeve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të shërbente edhe si portë e vetme për komunikim me investitorët. Zeka në fund tha se Oda Amerikane do të ofrojë përkrahjen e saj për fuqizimin e kapaciteteve të diplomacisë ekonomike të Kosovës.

Në takimin në të cilin morën pjesë edhe Luan Dalipi, Shef i Stafit të Kryeministrit, si dhe Lulëzon Jagxhiu, Këshilltar për Teknologji të Informacionit, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane dhanë edhe rekomandime të tjera për aspekte specifike të të bërit biznes në Kosovë. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.