Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati vizituan ATK-në
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, vizituan sot Administratën Tatimore të Kosovës, ku u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm, Mentor Hyseni, dhe menaxhmenti i lartë i ATK-së.
Gjatë vizitës u diskutua për rezultatet e punës së ATK-së, rritjen e të hyrave, forcimin e permbushjes tatimore, digjitalizimin e shërbimeve dhe masat për luftimin e evazionit tatimor, thuhet në njofitmin e ATK-së.
Kryeministri Kurti vlerësoi punën e ATK-së, duke theksuar se rezultatet e këtij institucioni janë të prekshme dhe reflektojnë drejtpërdrejt në planifikimin dhe realizimin e politikave qeveritare. Ai veçoi rritjen e të hyrave tatimore prej 14%, si dhe përmirësimin e transparencës në proceset që lidhen drejtpërdrejt me tatimpaguesit.
Duke folur për kontrollet tatimore, Kryeministri Kurti theksoi ndryshimin e qasjes së ATK-së nga kontrollet e bazuara në dyshime drejt kontrolleve të bazuara në të dhëna dhe analizë të riskut.
Ai permedi edhe rritjen e denoncimeve për rastet e evazionit tatimor në 43.1%, duke e cilësuar këtë si tregues të rritjes së bashkëpunimit dhe besimit të qytetarëve dhe bizneseve në institucionet tatimore.
Ministri i Financave, z.Hekuran Murati, vlerësoi kontributin e ATK-së në krijimin e stabilitetit financiar të vendit, duke theksuar se institucioni do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në rritjen e pajtueshmërisë dhe forcimin e financave publike.
Në këtë drejtim, Ministri Murati theksoj se projekti i arkave softuerike digjitale, i cili synon të kontribuojë në rregullimin e tregut, uljen e evazionit tatimor dhe shtrirjen e fiskalizimit në të gjitha veprimtaritë ekonomike. Sipas tij, sistemi i ri krijon mundësi për fiskalizim me kosto të ulët, krahas arkave fiskale aktualisht.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Murati për vizitën dhe për vlerësimin e punës së Administratës Tatimore të Kosovës. Ai theksoi se rezultatet e arritura janë dëshmi e angazhimit të përbashkët të stafit të ATK-së dhe e një qasjeje të orientuar drejt rritjes së efikasitetit, profesionalizmit dhe përmbushjes vullnetare të obligimeve tatimore. Hyseni nënvizoi se ATK-ja po e zhvendos fokusin nga ndërhyrjet e përgjithshme ndëshkuese drejt një qasjeje më të targetuar dhe të bazuar në analizën e riskut, duke krijuar më shumë lehtësi për tatimpaguesit që përmbushin rregullisht obligimet e tyre dhe duke përqendruar kontrollet aty ku ekziston rrezik real për mospërmbushje. Si rezultat i kësaj qasjeje, përqindja e gjobave ka rënë rreth 22 % më pak se në vitin e kaluar.
Tutje, Hyseni theksoi se modernizimi i ATK-së po shoqërohet edhe me zgjerimin e shërbimeve elektronike dhe thjeshtimin e komunikimit me tatimpaguesit. Aktualisht, janë në dispozicion 62 shërbime online, krahasuar me 59 një vit më parë, duke u mundësuar tatimpaguesve që një numër gjithnjë e më i madh të obligimeve tatimore t’i kryejnë shpejt, thjesht dhe në mënyrë transparente. Sipas tij, kombinimi i digjitalizimit, përmbushjes vullnetare dhe kontrollit të bazuar në risk po e forcon ATK-në si një administratë moderne, më efikase dhe më afër tatimpaguesit, thuhet në njofitmin e ATK-së. /2LONLINE/
