Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mbajti të enjten konferencë për media, ku së bashku me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, prezantoi të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe investimet e huaja direkte në Kosovë.
Ja Çfarë tha kryeministri në këtë konferencë:
“Sot jam me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, që t’iu prezantoj disa prej ecurive që kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit të biznesit në Kosovë, për këta gjashtë muaj.
Ju them se Qeveria e Republikës së Kosovës ka vlerësuar se gjatë kësaj periudhe është arritur një progres domethënës, në implementimin e prioriteteve strategjike të Qeverisë, sa i përket përmirësimit të ambientit të biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Objektivi ynë më i rëndësishëm është që të rritet prodhimtaria vendore, të kemi investime më të mëdha të jashtme në Kosovë, të përmirësojmë bilancin tregtar, të krijojmë vende të reja të punës dhe ta rrisim normën e zhvillimit ekonomik.
E vlerësojmë veçmas faktin se gjatë kësaj periudhe kemi pas një rritje të investimeve të jashtme, përkatësisht në bazë të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e jashtme kanë arritur gati 160 milionë euro, ose saktësisht 158 milionë euro për pesë muaj. Ndërkaq, për pesë muaj të vitit të kaluar kanë qenë 29 milionë ose për tërë vitin e kaluar kanë qenë 151 milionë, që flet se vetëm për pesë muaj kemi më shumë investime të jashtme se sa kemi pasur për tërë vitin e kaluar.
Më gëzon fakti poashtu, që kemi edhe numër shumë më të madh të firmave me pronarë të jashtëm të cilat janë regjistruar në Kosovë gjatë gjashtë muajve, përkatësisht janë regjistruar 211 biznese, me pronarë të jashtëm karshi 80 bizneseve sa kanë qenë për të njëjtën periudhë në vitin 2014.
Një e arritur shumë e madhe është edhe nënshkrimi i kontratës për Brezovicën me konsorciumin francez, e cila kontratë parasheh që përfundimisht të kemi investime të jashtme prej 410 milionë eurove në Kosovë dhe hapjen e 3000 vendeve të punës, përkatësisht do të kemi 163 milionë euro për tri vitet e para investime të drejtpërdrejta dhe në mënyrë graduale do të rriten edhe vendet e punës.
Ministria ka marrë masa gjatë kësaj periudhe në ndarjen e granteve të cilat janë siguruar përmes Bashkimit Evropian në shumë prej 4 milionë euro, janë përkrahur 20 mikro ndërmarrje dhe 16 ndërmarrje të vogla dhe të mesme me këto shuma, dhe ka funksionuar edhe skema voucher përmes së cilës skemë është mundësuar që t’ju jepen këshilla bizneseve sipas kërkesave të tyre.
Mendojmë se po tregohen shumë efikase edhe Zonat Ekonomike në Kosovë. Zona e Drenasit veç është përmbyllë me 41 biznese dhe më nuk ka vend as për biznese të brendshme as të jashtme aty, por po punohet në zgjerimin e kësaj e zone. Është investuar pastaj në Zonën Ekonomike në Mitrovicë gjatë këtij viti me 200 mijë euro, dhe në Zonën Ekonomike në Shtime, ndërkaq presim që Zona Ekonomike në Gjakovë të filloj të realizohet në momentin kur ajo i zgjidh problemet pronësore të kësaj zone dhe poashtu kemi pas investime shtesë në Zonën e Drenasit sa i përket energjisë elektrike dhe sigurimit të ujit.
Ne e vlerësojmë poashtu të rëndësishme edhe organizimin e panaireve dhe pjesëmarrjen e bizneseve tona dhe bizneseve të jashtme në panaire në vendin tonë, dhe pjesëmarrja e tyre në panaire në vendet e jashtme. Dëshiroj tani të theksoj se çfarë është bërë gjatë kësaj periudhe në rregullativën ligjore dhe në aktet e tjera, të cilat kanë mundësuar që ne të sigurojmë një ambient më të mirë për biznese.
Është bërë plotësim ndryshimi i Ligjit për Markat Tregtare dhe Ligjit për Patentën. Esenca e kësaj qëndron në thjeshtëzimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve, në mbrojtjen e pronësisë industriale, dhe në përmirësimin e klimës së të bërit biznes tek ne.
Qeveria ka aprovuar Projektligjin për Treguesit Gjeografik dhe Emërimet e Origjinës, ndërkaq tani kemi në procedurë Projektligjin për Dizajnin Industrial. Të dy këto ligje janë ligje të cilat bëhen në bazë të kritereve të Bashkimit Evropian, të cilat ne duhet t’i përmbushim edhe me rastin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, por vetëm në situatën kur nënshkruhet Marrëveshja, por ne po i paraprijmë kësaj Marrëveshje edhe me këto ligje.
Jemi zotuar se do ta formojmë Fondin Zhvillimor të Kosovës. Hapin e parë e kemi bërë dje në Qeveri me aprovimin e Projektligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, ndërkaq më vonë do të vazhdojmë edhe me shtyllat e tjera të këtij Fondi Zhvillimor. Ky Fond për Garantimin e Kredive tani për tani përmbledh një shumë financiare prej rreth 15.5 milionë euro, pjesa dërrmuese e tyre, apo rreth 10 milionë e 500 mijë janë si donacion apo kontribut i USAID-it, pastaj kemi kontributin e Bankës Gjermane për Zhvillim, të Zvicrës dhe të Austrisë, dhe një milion është kontribut i Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Më vonë ky Fond do të veproj në bazë të vetëfinancimit dhe jam i bindur se do të jap një kontribut multiplikues në zhvillimin ekonomik.
Ajo çfarë e konsiderojmë se është shumë e rëndësishme është Projektligji për Investime Strategjike. Ne po punojmë tani konceptin e këtij ligji, do ta kemi në Qeveri javën e ardhshme, ndërkaq si projektligj do ta përgatisim deri në fund të gushtit.
Ne vlerësojmë se me aprovimin e këtij Ligji në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të krijojmë krejtësisht kushte tjera, të cilat do të mundësojnë marrëveshje të drejtpërdrejta me investitorë të jashtëm dhe tërheqjen e investimeve strategjike. Përmes këtij Ligji ne do të përcaktojmë se cilat janë fushat e investimeve strategjike në Kosovë, cilat janë kompanitë të cilat do të konsiderohen si kompani me interes strategjik në pikëpamje të shumës që ato investojnë këtu dhe në pikëpamje të numrit të të punësuarve, dhe cilat do të jenë procedurat përmes të cilave ne do të tërheqim dhe do të arrijmë marrëveshje me investitorët e jashtëm.
Mund të them se përmes Ministrisë poashtu janë aprovuar, përkatësisht janë pru udhëzime administrative të cilat e kanë thjeshtëzuar mënyrën e të bërit biznes, të regjistrimit të bizneseve, dhe poashtu udhëzime administrative të cilat e kanë rregulluar regjistrimin e bizneseve të jashtme, përkatësisht investitorëve të jashtëm dhe ne do të kemi një portfolio të saktë në të ardhmen të të gjitha investimeve që do të kemi nga jashtë në Kosovë.
Është punuar mjaft shumë edhe në miratimin e standardeve të caktuara, në regjistrimin e markave tregtare, ka filluar me rregullimin e tregut të naftës, sepse siç janë dhënë të dhënat më herët nga Ministria, ne kemi pas 44 për qind të pikave të karburanteve në fund të vitit 2014 të cilat nuk kanë pas licencë të vlefshme. Janë ndërmarrë të gjitha masat dhe ato tani po vihen në kontroll. Kemi kërkesa të mëdha për licenca dhe Ministria po procedon me të gjitha kriteret në mënyrë që ato të plotësohen.
Në pikëpamje të bashkëpunimit rajonal, në fushën e zhvillimit ekonomik, ne tani jemi duke bërë përgatitjet tek Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe ministritë tjera që merren me fushën e ekonomisë, që ne të implementojmë detyrime tona që rrjedhin më vonë nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim. Kjo Ministri është drejtpërdrejt e kyçur në pjesëmarrjen aktive në aktivitetet e CEFTA-s, edhe në organizimet tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, ju e dini se ne e kemi aktivizuar Këshillin Kombëtar për Zhvillim. Ky Këshill tani ka filluar të funksionoj dhe përmes këtij Këshilli ne po marrim sugjerime, propozime, masa nga akterët që e përbëjnë këtë Këshill, në mënyrë që ecuritë e zhvillimit ekonomik dhe orientimet zhvillimore në të ardhmen t’i orientojmë në interes të zhvillimit më të shpejtë të Kosovës.
Ne në javët në vijim dhe javën e ardhshme do të kemi poashtu takime me ju, me ministrat përkatës që udhëheqin sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik, sidomos, tek investimet të cilat do t’i bëjmë në energjetikë, tek çështja e Trepçës, dhe ato në bujqësi, dhe do të kemi rastin që së bashku me ministrat përkatës dhe me ju të japim informata dhe të bëni pyetje për ato fusha të cilat mendoj se janë interesante për ju por edhe për opinionin”.