DYLON

Kryeministri i Kosovës takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Kosovës takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut
Avatar photo Redaksia

Ndër takimet e para bilaterale në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e zhvilloi me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri Kurti e uroi homologun Kovaçevski për detyrën e re dhe i dëshiroi udhëheqje të suksesshme të qeverisë, duke i ofruar bashkëpunim të ngushtë. Në këtë takim të parë bilateral, kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Kovaçevski për të arriturat e vitit të parë të qeverisjes së tij

EkoHigjiena

. Në vitin 2021, Kosova ka shënuar rritje dyshifrore ekonomike, eksportet dhe investimet e huaja janë rritur për 2/3-tat, kurse të hyrat buxhetore dhe qarkullimi vjetor i bizneseve për 1/3-tat. Si rezultat i luftës së vazhdueshme të krimit dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar përmirësim rekord vjetor për 17 vende në indeksin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, nga vendi i fundit në rajon për nga përqindja e popullatës së vaksinuar kundër COVID-19, Kosova sot renditet në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor.

Në shtatorin e vitit të kaluar është mbajtur mbledhja e parë e përbashkët në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo mbledhje ishte konfirmim i marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit të mirë në mes dy vendeve.

Gjatë takimit të sotëm u diskutua mbi statusin dhe progresin e marrëveshjeve dhe memorandumeve të nënshkruara gjatë mbledhjes së përbashkët. Muajin tjetër bëhen gjashtë muaj nga mbledhja e përbashkët, dhe me këtë rast pritet të bëhen vlerësimet e para të progresit dhe zbatimit të marrëveshjes nga dy zyrat respektive, theksoi kryeministri Kurti.

Përpos bashkëpunimit bilateral, në takim u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal. Kryeministri Kurti tha se Kosova mbështet bashkëpunimin dhe integrimin rajonal mbi bazën e trajtimit të barabartë. Në këtë drejtim, Kosova mbështet Procesin e Berlinit dhe konsideron se Tregu i Përbashkët Rajonal në kuadër të tij është platforma e duhur dhe e vetme që mundëson zbatimin e plotë të katër lirive në mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket sigurisë rajonale, kryeministri Kurti tha se Kosova është e përkushtuar që të bëhet anëtare e NATO-s. Përfshirja e Kosovës nën ombrellën e aleancës atlantike, për të cilin mision e konsiderojmë Maqedoninë e Veriut si aleat dhe partner të afërt, i kontribuon sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, kryeministri Kovaçevski e falënderoi kryeministrin Kurti për urimin. Ai tha se ky është takimi i parë me fqinjin e parë në kuadër të Konferencës së Mynihut, duke shtuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet po aq e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Kosovës si në rrafshin bilateral ashtu edhe në rrafshin e synimeve të përbashkëta për rajonin dhe integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.