DYLON

Kryeministri Hoti: Plani i higjienës së shkollave kundër COVID-19 të jetë i qartë dhe i zbatueshëm

Kryeministri Hoti: Plani i higjienës së shkollave kundër COVID-19 të jetë i qartë dhe i zbatueshëm
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj organizuan sot një takim virtual, në të cilin, përveç tri opsioneve tashmë të publikuara të kësaj ministrie për fillimin e vitit të ri shkollor, u diskutua edhe Plani i higjienës së shkollave kundër COVID-19.

Kryeministri Hoti kërkoi që të gjitha kriteret dhe udhëzimet për respektimin e masave mbrojtëse nga infeksioni të jenë të shkurtra, të thjeshta dhe të qarta, në mënyrë që nxënësit, mësimdhënësit, personeli administrativ dhe ndihmës në shkolla ta kenë më të lehtë zbatimin e tyre.

Po ashtu, kryeministri Hoti kërkoi që MASH-i dhe Departamentet Komunale të Arsimit të përcaktohen me kohë se sipas cilit opsion do të organizohet procesi mësimor në secilën komunë, në mënyrë që drejtoritë dhe mësimdhënësit t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për fillimin dhe mbarëvajtjen e mësimit duke i respektuar të gjitha protokollet e zhvillimit të procesit mësimor, si dhe masat mbrojtëse nga infeksioni COVID 19.

EkoHigjiena

Ndërsa, ministri Likaj paraqiti kornizën e kushteve të veçanta për zhvillimin e procesit mësimor brenda hapësirave shkollore, rregullat e organizimit dhe të menaxhimit të mësimit në klasë, si dhe veprimet që duhet të ndërmerren, në rast se sëmuret ndonjë nxënës apo ndonjë anëtar i stafit shkollor.

Në përmbyllje të këtij takimi, u vendos që kriteret dhe udhëzimet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të miratohen si vendime nga Qeveria e Kosovës dhe, si të tilla, t’u shpërndahen Departamenteve Komunale të Arsimit.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.