Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka uruar qytetarët me rastin e dyvjetorit të themelimit të ushtrisë së Kosovës.
Me këtë rast, Hoti ka thënë se anëtarësimi i FSK-së në NATO është synim i institucioneve të Kosovës.
Postimi i plotë i Hotit:
Kosovë, urime 14 Dhjetori – Dita e Ushtrisë!
Dy vjet më parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi tri ligje, të cilat bën të mundur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Në këtë ditë historike uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa pjesëtarët e FSK-së i përgëzoj për të arriturat e vazhdueshme.
Angazhimi dhe përkushtimi i djemve dhe vajzave tona në FSK është për çdo lëvdatë, ndërsa ndihma e miqve tanë në ngritjen e kapaciteteve të tyre ka qenë dhe mbetet e jashtëzakonshme, për çka u jemi falënderues përherë.
FSK-ja në NATO është synimi ynë. Me profesionalizimin e tyre vajzat dhe djemtë e Kosovës do të japin kontribut të çmuar për paqe në rajon dhe në botë.