Kryeministri Hoti: Është rritur vetëdija qytetare për rrezikun nga COVID-19

Kryeministri Hoti: Është rritur vetëdija qytetare për rrezikun nga COVID-19

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, vizitoi Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ku në një bashkëbisedim me drejtorët e klinikave të QKUK-së, Bordin drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe anëtarët e Komitetit për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në kuadër të shërbimit spitalor, i falënderoi për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë gjithë vitit.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, tha se rënia e shifrave gjatë ditëve të fundit, ka dhënë një qetësi në familjet tona. “Jemi në rrugën e duhur dhe besoj që objekti i Klinikës Emergjente duhet të bëhet gati për vjeshtë dhe, gjithashtu të fillojë shpejt edhe vaksinimi i rregullt, në mënyrë që të kemi një mbrojtje për të sëmurët kronikë, për fëmijët dhe grupet më të rrezikuara”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se edhe vetëdija e qytetarëve është rritur për rrezikun që paraqet ky virus.

Më tutje, gjatë këtij bashkëbisedimi, kryeministri Hoti theksoi se është me rëndësi për të hyrë në plane afatgjata të ristrukturimit komplet të institucioneve shëndetësore dhe në këtë mënyrë të riorganizohet komplet sistemi shëndetësor për t’u përballë me këtë pandemi dhe me pandemitë që mund të paraqitet në vitet që vijnë.

“Kemi korrur rezultate të jashtëzakonshme, t’i mbajmë këto rezultate dhe në këtë mënyrë të jemi të përgatitur për zhvillimet që mund të ndodhin”, tha kryeministri Hoti, duke shprehur ngushëllime për të gjitha familjet, pjesëtarët e të cilëve kanë humbur jetën dhe gjithashtu u ka uruar shërim të shpejtë atyre që janë duke u trajtuar.

Kryeministri Hoti, gjithashtu premtoi se deri sa të bëhet Ligji i Pagave, do të vazhdohet në bazë të vendimit të Qeverisë për një shtesë, që nuk është e mjaftueshme, por tregon përkushtimin e shoqërisë dhe shtetit për punën që po bëjnë mjekët dhe personeli ndihmës dhe të gjithë ata që janë në zingjirin e shërbimeve shëndetësore.

Gjithashtu sot, në objektin e ShSKUK-së, kryeministri Hoti, zhvilloi një takim me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi, si dhe me ekipin e mjekëve nga Italia, të cilët kanë qëndruar në Kosovë disa ditë.

Kryeministri Hoti falënderoi mjekët, qeverinë italiane, KFOR-in për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kanë pas gjatë kësaj periudhe.

“KFOR-i, edhe njëherë e ka dëshmuar që është në mbështetje të qytetarëve të Kosovës në të gjitha kapacitete, edhe në ruajtje të rendit dhe sigurisë, por edhe në mbështetje, siç është rasti me pandeminë”, tha kryeministri Hoti dhe shtoi se mjekët që kanë qëndruar në Kosovë, kanë bërë një vlerësim të situatës nga misioni që kanë kryer këtu.

Ndërkaq ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha se, prezenca e kryeministrit Hoti është një vlerësim për punën e tyre dhe mirënjohje për angazhimin vetëmohues të të gjithë profesionistëve shëndetësorë.

“Kjo vizitë na motivon dhe inkurajon jo vetëm për vazhdimin e kësaj punë, por edhe për ngritjen e gatishmërisë dhe përgatitjen më të mirë për menaxhimin e një vale të mundshme të pandemisë COVID-19 në vendin tonë”, tha Krasniqi.

KOMENTE