DYLON

Kryeministri Haradinaj takon sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg

Kryeministri Haradinaj takon sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg
Avatar photo Redaksia

“Roli i NATO-s në Kosovë ishte jetik për popullin tonë në kohë lufte, kontributi i së cilës vazhdon edhe në ditët e sotme. Objektivi ynë kryesor strategjik mbetet aplikimi i plotë i standardeve të Bashkimit Evropian në rrugën tonë drejt procesit të integrimit në BE dhe përpjekjet për t’u bërë pjesë e Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO-s”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me Sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg në Nju Jork.

Situata politike dhe e sigurisë në vend dhe rajon, progresi i arritur në Kosovë, me theks të veçantë procesi i tranzicionit i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si një forcë multietnike, profesionale dhe sipas standardeve të NATO-s, ishin disa nga temat e këtij takimi.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Sekretarit Jens Stoltenberg dhe institucionit që ai drejton për procesin e tranzicionit të FSK-së në Ushtri, proces ky që do të kontribuonte në sigurinë më të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

EkoHigjiena

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar Sekretarin Stoltenberg për bashkëpunimin e NATO-s dhe mbështetjen e vazhdueshme që po jep KFOR-i në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Institucionet dhe populli i Kosovës e vlerësojnë lartë rolin e NATO-s”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se prezenca e NATO-s përmes KFOR-it në Kosovë është kontribut për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO do të ofroi përkrahje për Kosovën edhe në të ardhmen.

Takimi me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Nju Jork.

Në këtë takim morën pjesë edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.