DYLON

“Kryeministër, faleminderit që ekziston”!!!

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – I indinjuar me situatën e krijuar parazgjedhore dhe premtimet e panumërta milionëshe të kryeministrit Hashim Thaçi, si qytetar i këtij vendi nuk po mund të qëndroj indiferent e aq më pak kur mendoj se u shkel e u fye rëndë sedra ime prej studenti.

Rritja e pagave për mësimdhënësit, mjekët, shërbyesit civil; ligji për veteranët e luftës, pesë milionëshi për fëmijët me kancer e tumor; zbritja 50 përqindësh e shërbimeve për studentët; subvencionet për bujqit e premtime megalomane të muajit të fundit do të ishin të mirëseardhura, nëse do të ishin konform akteve ligjore e kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe të mos ishin pjesë e një fushate të egër parazgjedhore, kur dihet se shumë shpejtë do të kemi Zgjedhje Parlamentare.

EkoHigjiena

Nëse këto vendime paskan mundur me u marrë, pse nuk u morën më herët?! Pse të gjitha këto vendime erdhën bash në prag të Zgjedhjeve?! A po i bie që përfituesit e këtyre vendimeve kanë pësuar duke pritur ardhjen e Zgjedhjeve vetëm që ju kryeministër të Përfitoni mandatin tjetër qeverisës nga këto vendime?! A është kaq i rëndësishëm për ju posti i kryeministrit, sa të luash me ndjenjat e 2 milion qytetarëve të Kosovës?! Çka në fakt është morali në politikë, pasi e kam shumë të paqartë këtë?!

Vendimin për zbritjen në 50% të shërbimeve të studentëve (semestri, mensa e konvikti), e mirëprita jashtëzakonisht mirë pasi i ndihmon gjendjes ekonomike të familjes sime, nëse do të mbetej si i tillë normalisht. Por, nëse e marrin parasysh faktin se për të ardhur ky vendim u desh të pritej koha e Zgjedhjeve, padyshim paraqet fyerje për mua dhe për kolegët e mi studentë.

Z. kryeministër, a i din problemet me të cilat përballen studentët? A e dini që ende mësojmë me skripta pasi nuk keni ndarë buxhet të mjaftueshëm për përkthim e botim të literaturës adekuate? A e dini që nuk keni ndarë buxhet më të madh për UP-në ani se numri i studentëve është rritur? A i dini kushtet e vështira me të cilat përballen konviktorët? Po për pranimin e studentëve pa kritere? Po për diplomat e falsifikuara të profesorëve të UP-së?

Z. kryeministër, po kuptohet tani qartë që ky vendim e vendime të tjera që po i merrni në këtë kohë i takojnë vetëm një fushate t’paskrupullt parazgjedhore; por a nuk të erdhi turp të u’a kërkosh votën studentëve në Universitetin e Prizrenit në mënyrë direkte, përbrenda institucionit të dijes?! Po arrestimi e grushtimi i disa studentëve që reaguan kur paturpësisht shkove t’i vizitosh në menzën e studentëve?!

Kështu tregon përkushtimin tënd për ne studentët?! Duke kërkuar votën a?!Ky është përkushtim?!

Për çka themelove Universitetin e Gjilanit, Prizrenit e Pejës (po pretendon edhe atë të Podujevës e Ferizajt), duke e ditur shumë mirë për mungesën e stafit akademik dhe për një mori mangësish e defektesh?! Që të zvogëlosh numrin e të papunëve në Kosovë e rrjedhimisht edhe numrin e të paknaqurve me gjendjen ekonomike e me qeverisjen tuaj, apo jo?!

Unë po i kujtoj fjalët e t’madhit Sokrat i cili thoshte “Dëshmitari im kryesor që flas të vërtetën është varfëria ime”. Gjendja e rëndë ekonomike e sociale, papunësia e madhe, niveli i lartë i varfërisë, niveli i lartë i korrupsionit, mungesa e një sistemi gjyqësor të pavarur, mungesa e shprehjes së lirë janë dëshmitarë që ju zotëri kryeministër nuk jeni i aftë të udhëhiqni me qeverinë e Republikës së Kosovës. Ju mund të jeni i zoti që të fitoni edhe mandatin e tretë, duke shfrytëzuar aftësinë tuaj manipulative me opinionin dhe qytetarin e rënduar nga varfëria , por jam i sigurtë se nuk jeni i duhuri të udhëhiqni qeverinë e Republikës së Kosovës.

Mua, nuk më mbetet tjetër pos ti bashkëngjitëm vagonit të gjatë të qytetarëve pasiv dhe të them që ju jeni “kryeministri më i mirë”, “lider i pakontestueshëm e i pakrahasueshëm”, “mbret i mbretërve”, “shpresa e së ardhmes”…

Kështu që, “Kryeministër, falemnderit që egziston”!

/Adem AJVAZI/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.