KRU “Hidromorava” përmbyll Tetorin Rozë– solidariteti nga fjalët në vepra!
Në përmbyllje të Tetorit Rozë – Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, KRU “Hidromorava” Sh.A. – Gjilan e ka konkretizuar angazhimin e saj humanitar përmes dorëzimit të donacionit financiar me një shumë solide, të mbledhur vullnetarisht nga stafi i kompanisë, në mbështetje të grave të prekura nga kanceri i gjirit.
Me këtë rast, përfaqësueset e KRU “Hidromorava” u takuan me përfaqësuesen e Qendrës “RENESANSA” në Gjilan, si dhe me gra që janë përballur me këtë sëmundje.
Ishte një takim që shkoi përtej dorëzimit të një donacioni.
Përmes bashkëbisedimit, dëgjuam rrëfime prekëse për sfidat, përjetimet, forcën dhe guximin e këtyre grave. Histori të ndryshme, por të bashkuara nga një mesazh i përbashkët: rëndësia e shpresës, mbështetjes njerëzore dhe solidaritetit.
KRU “Hidromorava” shpreh mirënjohje të veçantë për të gjithë punonjësit që kontribuan në këtë iniciativë vullnetare, si dhe për Qendrën “RENESANSA” për bashkëpunimin dhe përkushtimin e saj.
Sepse solidariteti nuk matet vetëm me shumën që dhurojmë, por edhe me kohën që ndajmë, historitë që dëgjojmë dhe mbështetjen që ofrojmë.
Asnjë grua nuk duhet të ndihet vetëm!
KRU “Hidromorava” Sh.A. – Gjilan
