KRU “Hidromorava” mbajti Mbledhjen Vjetore të Kuvendit të Aksionarit
Më datë 29.10.2026, KRU “Hidromorava” Sh.A. mbajti Mbledhjen Vjetore të Kuvendit të Aksionarit, në të cilën u shqyrtuan dhe u miratuan çështje me rëndësi të veçantë për qeverisjen korporative, performancën dhe zhvillimin e mëtejshëm të Ndërmarrjes.
Në këtë mbledhje, si përfaqësues të Aksionarit – Ministrisë së Ekonomisë, morën pjesë z. Dëfrim Pllashniku, U.D. Udhëheqës i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, si dhe z. Adem Ahmetaj, Analist për Politika Korporative.
Nga ana e KRU “Hidromorava” Sh.A., të pranishëm ishin Bordi i Drejtorëve dhe zyrtarët e lartë të Ndërmarrjes.
Në kuadër të rendit të ditës, Kuvendi i Aksionarit shqyrtoi dhe miratoi:
● Raportin e Audituesit të Pavarur, Pasqyrat Financiare për vitin që përfundon më 31 dhjetor 2025, si dhe Letrën për Menaxhmentin;
●Raportin Vjetor të Punës për vitin 2025;
Performancën e Menaxhmentit të Kompanisë.
Gjatë mbledhjes, Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Ndërmarrjes prezantuan të arriturat dhe rezultatet e punës gjatë vitit 2025, duke paraqitur një pasqyrë të aktiviteteve të realizuara, progresit në përmbushjen e objektivave dhe angazhimeve për përmirësimin e vazhdueshëm të performancës së Ndërmarrjes.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe gjetjeve dhe rekomandimeve të Auditorit të Jashtëm, me ç’rast u prezantua plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, në funksion të forcimit të kontrollit të brendshëm, transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
Përveç pikave formale të rendit të ditës, gjatë takimit u diskutuan edhe çështje me rëndësi strategjike për Kompaninë, duke përfshirë sfidat aktuale, prioritetet zhvillimore dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe kapaciteteve operacionale të Ndërmarrjes.
Me këtë rast, Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i KRU “Hidromorava” Sh.A. shprehën mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë ndaj Ministrisë së Ekonomisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme institucionale, veçanërisht në funksion të realizimit dhe implementimit të projekteve strategjike që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe avancimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët.
Nga ana e Aksionarit u vlerësua puna dhe angazhimi i Ndërmarrjes, si dhe rëndësia e rezultateve të arritura gjatë vitit 2025. U theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Aksionarit, Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit, me fokus në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Jashtëm, përmirësimin e performancës dhe realizimin e objektivave strategjike të Kompanisë.
KRU “Hidromorava” Sh.A. mbetet e përkushtuar në avancimin e qeverisjes korporative, rritjen e efikasitetit operacional, zbatimin e standardeve të llogaridhënies dhe realizimin e projekteve zhvillimore, me synim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe krijimin e vlerës për konsumatorët dhe të gjithë aksionarët. /2LONLINE/
