Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi Presidenten e sapozgjedhur të Republikës së Kroacisë, zonjën Kolinda Grabar-Kitarovic me të cilën diskutuan për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve dhe perspektivën evropiane të rajonit.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi Presidenten Grabar-Kitarovic për zgjedhjen e saj si Presidentja e parë grua në Republikën e Kroacisë, duke theksuar se Kosova dhe Kroacia kanë dëshmuar një evolucion të rëndësishëm politik dhe shoqëror.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova dhe Kroacia kanë gëzuar një miqësi dhe partneritet mes institucioneve dhe qytetarëve të dy vendeve dhe marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike të cilat duhet të forcohen tutje.
Presidentja Grabar-Kitarovic falënderoi Presidenten Jahjaga për pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit, u përkushtua të vazhdojë zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të ofrojë përkrahjen për procesin integrues euroatlantik të Kosovës.
Në margjina të ceremonisë së inaugurimit të Presidentes kroate, Presidentja Jahjaga zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Hungarisë, zotëri Janos Ader, me të cilin diskutoi për migrimin ilegal, thuhet në njoftim.