Kriteret e Kosovës për integrimin e BE-së!
Arianit SLLAMNIKU
(2L ONLINE) – Derisa integrimi I Kosovës për në BE duket të jetë rrugëtim I vështirë dhe plotë peripeci për plotësimin e kritereve që kërkohet nga BE-ja për shtetet veç e veç por në veçanti për Kosovën, e cila si duket edhe në aspektin faktik ka mbetur në listë si shteti I fundit me më së paku progres drejt saj.
Gjatë krejt kësaj kohe, për të zbardhur çështjen edhe më shumë në fushën e kritereve që kërkohen për Kosovën drejt integrimit në shoqërinë me mbi 500 milion banorë, në vazhdim do të kemi ndarjen e kritereve të njëjtë me Kriteret e Kopenhagës që janë bazë për përpilimin e Raportit të Progresit nën pyetjen hipotetike:
Cilat kushte duhet të plotësohen nga BE-ja nëse do të dëshironte që ajo të integrohej në Kosovë?
Kriteri Politik
Votimit nuk është e domosdoshme të bëhet vetëm nga njerëzit e gjallë,
Deputetët e BE-së duhet të zgjedhën edhe me vota të të vdekurve.
Sistem I votimit, rinumërimit, ankimimit, blerjes, sabotimit, ndërrimit duhet të jetë I miratuar nga KQZ-ja me plotë gojën demokraci.
Gjatë fushatës shaj, akuzo, etiketo, shantazho, abuzo, blej vota, premto, rrej, por gjithsesi arrije qëllimin, futu në kuvend për interes tëndin apo të klanit që I përket pasi qytetari prapë do të votojë sepse e josh me premtime dhe rrena të reja përsëri.
Kandidatët për deputet apo kryetar komunash nuk prish punë nëse janë me të kaluar kriminale, rëndësi ka marrja e votës dhe shtimi I pasurisë përmes pushtetit.
Partitë politike do të duhej të jenë kenë bazën familjare, mafioze alla Cosa Nostra, të cilat do të kenë marrëveshje (besa besë) me klanet politike rivale për ndarjen e interesave.
Votuesit duhet të jenë me bazë klienteliste apo të interesave personale, apo të klaneve të ndryshme dhe grupeve të interesit (të pastër apo të pistë).
Koalicioni ndërmjet partive politike të bëhet pa dallim programi politik, pa dallim akuzash për njëri-tjetrin para gjatë apo pas fushatës.
Premtimet mund të shndërrohen në rrena dhe mashtrime por që nuk do ketë përballje me ligjin.
Në skenën politike, për t’ia futur njëri-tjetrit lejohet, bile-bile është krenari nëse arrihet një vepër e tillë.
Investimet lokale duhet të ndahen në lagje mahalla – atyku nuk ka pas vota, nuk do të thotë që duhet të investohet.
Hierarkia institucionale nuk duhet domosdoshmërish të respektohet për shkak të praktikës së të vepruarit në treshe apo edhe në pesëshe por kurrë me urdhra nga dikush më lart,
Kandidatët për kryetar komunash zakonisht duhet të jenë në tavolinën e pazarit për interesat e nivelit qendror (e jep një komunë për një Ministri apo të ngjashme).
Kandidatët për këshilltar komunal duhet të përzgjidhen ata që votojnë më së lehti, pa zhurmë dhe të cilët nuk replikojnë qoftë edhe nëse është në pyetje morali I familjes.
Administrata dhe udhëheqja institucionale mund të ndërrohet gjithmonë me ndërrimin e pushtetit politik, se përndryshe nuk ka mundësi për rehatimin e militantëve politik të partisë.
Kriteri Juridik
Duhet të miratohen të gjitha konventat ndërkombëtare, kushtetuta e vendit, ligjet për parandalimin e dukurive negative por nuk duhet domosdoshmërish të zbatohen në praktikë.
Deputetët duhet të jenë ata të cilët e votojnë ligjin por që nuk prish punë nëse janë po ata te dënuar nga vet ligji I vendit derisa dënimin e shqiptuar nuk e kanë vuajtur kurrë.
Gjykatat duhet të jenë mekanizëm për shantazhin e rivalëve politik.
Ligji implementohet vetëm tek ata që nuk janë “bashkëmendimtar dhe bashkëveprimtar të idealit”.
Institucionet vendore edhe nëse nuk e implementojnë ligjin në fuqi, përsëri do të shpallen ndër më të përgjegjshmet në vend si dhe do të marrin subvencione për punën e kryer edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Mund të akuzosh dhe të ngritësh padi që të njollosësh dhe të eliminosh si pengesë qoftë edhe nëse ka të bëjë me bashkëpartiakët tuaj.
Për të drejtën ligjore qytetarët mund të protestojnë edhe për implementimin e të drejtave të kafshëve edhe në qoftë se qentë e tërbuar të rrugës mbysin fëmijët nëpër lagjet e qytetit apo edhe në periferi.
Kriteri Ekonomik
Paraprakisht duhet të dihet se vjelja e taksës dhe të mirave materiale nuk është e domosdoshme të shikohen në arkën e shtetit por subjektet politike duhet të merren vesh me njëra-tjetrën për ndarjen “fer” të vendit për sa I përket ndarjes së të mirave materiale, e sidomos të dihet kontrolli mbi alkoolit, derivatet e naftës, cigaret, ndemjet tyre.
Pasuria e shtetit duhet të kalojë në duart e personave privat përmes një komisioni I cili vetëm se e miraton pronarin e ri dhe nëse është nevoja, I jep të drejtën që nëse edhe prona është tokë bujqësore, ta betonojë pa të voglin problem.
Nuk mundesh të shpallësh tender pa marrëveshje paraprake me ndonjë kompani, andaj tenderët duhet të hapen dhe të jepen me sebep.
Ata që kanë udhëhequr proceset e ndjeshme në vend, munden me automatizëm të udhëheqin gjithçka dhe të kenë në pronësi ajo që ju nevojitet.
Financat e shtetit duhet të mblidhen nëpër pikat kufitare dhe nuk ka rëndësi ruajtja e produkteve vendore por me rëndësi është që malli të doganohet.
Gjithmonë duhet të jetë importi më I madh se eksporti dhe assesi nuk guxon të përmbyset ky trend.
Investimet e huaja që vijnë në vend, nëse nuk japin përqindje tek grupet vendore të udhëheqjes së shtetit, mund edhe të mos lejohen fare të investojnë.
Investimet kapitale duhet të jenë të dukshme dhe të prekshme derisa nuk ka rëndësi standardi dhe nevoja e tyre (rruga vetëm e asfaltuar dhe pa infrastrukturë nëntokësore),
Lumin mund ta thani ose edhe ta mbuloni nëse ju nevojitet rrugë për ndonjë ndërtim të lartë privat.
Investimet kapitale lejohen të përsëriten nga qeverisjet e ardhshme pasi që nuk ka kush dhe ku të të akuzojë.
Komisioni për pranimin e punëve ka mëditje të vogël andaj edhe nëse merr mito nga punëkryesi është normale pasi që është punë e rëndë e analitikes nga ana e komisionit.
Pensionet duhet të jenë baras me gjysmën e nevojës për ilaçe pasi që nevoja e pensionistit janë më së shumti barnat por duke mos I dhënë mundësi që të rritet pensioni sepse pastaj nga luksi I tepruar pensional mund të sëmuren edhe më shumë.
Qytetaria (lexo: Katundaria)
Të gjitha të mirat materiale vijnë nga partia ose nga klani partiak që ju I keni siguruar votat, si: punësimi, regjistrimi i fëmijëve në shkolla edhe pse nuk e kanë arritur kalueshmërinë, ngjitja e rrymës pas shkëputjes nga KEK-u, mos pagesa e taksave komunale, hyrja pa rend në institucionet e vendit, përfitimi I subvencioneve bujqësore pa pasur asnjë pëllëmbë tokë, ndihmat sociale edhe pse gjatë pirjes së kafesë keni çelësin e veturës BMË, Marlboro dhe Iphone 6.
Nëse ju vjen rasti të jeni në udhëheqje të insititucionit, shfrytëzoje me të gjitha format pasurimin tuaj sepse është e tolerueshme dhe ky rast nuk ju përsëritet dy herë.
Nëse ju vjen rasti të ndërtoni shtëpi, mos hezitoni fare por nisjani punës kudo që ju dëshironi dhe si dëshironi pasi që inspekcioni do të ju lajmërohet vetëm në momentin e mitmarrjes dhe nëse kryhet procedura me ta, asnjëherë problem nuk do të keni. Bile edhe komuna do të jetë e obliguar për rregullimin e infrastrukturës rrugore, elektrike dhe ujësjellësit edhe pse nuk ka miratim paraprak për ndërtim.
Nuk është e preferuar që të ju krijohen vende të punës pasi që populli duhet të pushojë pas gjithë atyre luftërave dhe peripecive që I kanë kaluar.
Qytetarëve duhet të ju mundësohet fitim me pak angazhim nëpër bastore dhe kazino pasi që pjesën tjetër duhet ta kalojnë duke I shpenzuar paratë e fituara.
Duhet sa më shumë të kenë vend për çlodhje si kafeteri, restaurante, etj. pasi që edhe ashtu qytetarët nuk kanë aktivitet tjetër gjatë ditës.
Jashta vendfaljeve si xhamiat dhe kisha, populli duhet më shumë të lutet nëpër bastore e kazino.
Qytetarit duhet të diplomojë sa më lehtë që është e mundur, qoftë edhe nëse kapet duke kopjuar e sidomos nëse është I njohshëm apo I afërm I ndonjë ministri.
Nxënësit dhe studentët duhet të vlerësohen në bazë të dukjes dhe jo dijes.
Lidershipi udhëheqës I vendit gjithmonë kanë të drejtë dhe duhet të justifikohet nga popullata.
Nuk është e domosdoshme që secili qytetar të ketë dokument valid pasi që ato ndërrohen sa herë që ndërrohet pushteti.
Përfundim me sugjerim
Siç duket në këto kushte dhe rrethana, për anëtarësimin e BE-së në Kosovë po dalin kritere që realisht do t’a sfidojnë këdo që nuk është I kalitur me standardet kosovare!
Për të qenë më realist, nuk jemi thelluar në detaje,se do t’i dilte edhe më shumë punë BE-së drejt integrimit të saj në Kosovë andaj edhe për fazën e parë e cila është një lloj “Studim I Fizibilitetit” para se të iniciohet faza tjetër, ajo e “(de)Stabilizim-Asociimit” të BE-së e cila si duket BE-ja nuk do të mund t’a përballojë as fazën e parë pasiqë ky lloj I “Studimit të Fizibilitetit” tregon se BE-ja është larg plotësimit të standardeve apo thënë më mirë “s’qenka kërkah”.
BE-ja për të qenë më seriozisht e përkushtuar drejt plotësimit të standardeve kosovare, duhet që sistemin e saj juridik, arsimor, shëndetësor, administrativ t’ia përshtatë dëshirave, nevojave të lidershipit udhëheqës por edhe adoptimin e tyre me kodin e Lekës dhe Odave se përndryshe BE-ja drejt integrimit të saj në Kosovë do të ngjajë njëjtë me rastin e integrimit të Turqisë në BE! /2L ONLINE/
/ autori është zyrtar për Integrime Evropiane në Komunën e Gjilanit/
