Avni RUDAKU
(2LONLINE) – Në janar të vitit 2013 u pat përuruar një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për nevojat e nxënësve dhe të fëmijëve: bashkëfinacimi i ndërtimit të fushës së sportit nga USAID dhe komunës së Gjilanit. Kjo fushë e sportit gjendet prapa objektit të shkollës fillore “Thimi Mitko”. Në pjesën e epërme të anës së rrugës, ka disa lodra për fëmijë, në mes gjendet fusha e sportit e rrethuar me rrjetat e pritjes së topit për të mos i shkaktuar lëndime fqinjëve apo ndonjë personi që mund të goditet nga topi gjatë lojës apo ushtrimeve të nxënësve. Në anën e poshtme, në këtë hapësirë gjinden disa tavolina me ngjyrë të gjelbër dhe prej distancës së afërt të këtyre tavolinave, mund të dëgjohen këngët e mrekullueshme teksa këndojnë fëmijët me mësuesin/en e tyre brenda klasës. Dhe po ashtu kemi aty-këtu gjelbërim që i shton madhështinë kësaj fushe dhe hapësirës rekreative-sportive për fëmijët. Në sajtin zyrtar të komunës, lidhur me përurimin e USAID-it dhe të komunës, atëbotë ndër të tjerash në njoftim të këtij tregimi, thuhej si në vijim:
“Në hapësirat e shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, është përuruar fusha e sportit, që është realizuar bashkërisht nga USAID/DEMI dhe Komuna. Projekti ka këndin e lojërave për fëmijë, terenin sportiv për aktivitete të nxënësve, klasa verore, gjelbërim dhe sipërfaqe tjera. Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa dhe zëvendësdrejtori i USAID-it në Kosovë, kanë shpalosur pllakën e këtij investimi jashtëzakonisht të dobishëm, i cili do të jetë në shërbim të nxënësve dhe të rinjve të këtij qyteti. Kryetari Mustafa tha se projektet e realizuara nga populli amerikan që u dedikohen qytetarëve të Komunës së Gjilanit, të gjitha preken nga qytetarët tanë për çdo ditë. Pra sot nxënësit dhe personeli arsimor i shkollës “Thimi Mitko” po e prekin këtë projekt të cilin e kanë pritur prej vitesh. Gëzimi i këtyre nxënësve dhe i personelit në përgjithësi lë të kuptohet se investimi është më se i duhur për këtë shkollë. Ky është një projekt që është realizuar me bashkëfinancim e që vlera e tij kap shumën rreth 80 mijë euro” (shih më gjerësisht: http://kk.rks-gov.net/gjilan/Neës/Advertisement/Perurohet-tereni-sportiv-per-shkollen–Thimi-Mitko.aspx)
Mirëpo, dje teksa shkova prapa objektit të shkollës fillore “Thimi Mitko”, mbeta i shokuar se çfarë pamë. I ngjante ndonjë fatkeqësie natyrore sikur shkulen drunjtë dhe pishat nga uraganët. Nga largësia dukej se keqbërësit ishin krejt të pamëshirshëm ndaj mjedisit. Imagjinoni kishte një kohë të gjatë që askush nga organet komunale, nga Drejtoria komunale për arsim, as nga Drejtoria e shkollës “Thimi Mitko”, as ndihmë (!) nga Drejtoria për Shërbime Publike, nuk kishte ndodhur për të ‘rrokullisur’ bile dy tavolinat e mëdha që ishin dëmtuar rëndë dhe nuk po i mbante toka në këmbët e tyre. Të paktën, në shenjë respekti dhe dhembshurie që ishte dëmtuar diçka që shfrytëzohej prej fëmijëve, ishte donacion nga taksapaguesit e huaj dhe vendorë! Tavolinat prej druri, ishin në gjendje të shkallmuar dhe ishin kthyer prapa e ishin thyer dërmueshëm. Rreth 7-8 shporta estetike dhe funksionale të hedhjes së mbeturinave ishin shkatërruar si në kohë luftërash me urrejtje patologjike të veprimit. Rrjetat anash sallës së sportit, të cilat nuk lejonin topin të kalonte jashtë fushës së sportit për të lënduar ndonjë banor atypari, sikurse e thamë që në fillim të artikullit, ishin dëmtuar dhe nuk i ngjanin bërjes së vrimave me shpime të holla, por kishte shenja se keqbërësve nuk u mjaftonte dëmtimi i lehtë, por dëmtim radikal duke i zgjeruar rrjetat dhe i kishin shpupurisur sikur flokët. Një portë e golit në pjesën e epërme nga vija e shkollës prapa saj, ishte po ashtu e dëmtuar. Unë nuk kam ide se çfarë ka ndodhur aty. Edhe sikur ngjarja të ishte e shkaktuar nga dukuritë e natyrës a ligjësitë e Zotit të mbinatyrshëm, apo edhe nga ndonjë ardhje alienësh duke ateruar me shpejtësi drite nga pjatat që thyejnë ligjet të cilat i shfrytëzon aeroplani i zakonshëm njerëzor i arritur me dijet ekzistuese mbi teknologjinë, do të duhej ndërhyrë me urgjencë për t’i riparuar dëmet dhe për ta mirëmbajtur fushën e sportit dhe pajisjet që po shkatërroheshin. Madje edhe një pajisje që u mundësonte fëmijëve rrëshqitjen argëtuese nga lart-poshtë, ishte shkëputur nga baza. Pra, edhe sikur të bëhej nga natyra ky dëm që mund të quhet edhe ‘krim i rëndë’, Drejtoria komunale e Arsimit, Drejtoria e shkollës “Thimi Mitko” dhe në përgjithësi komuna, do të duhej të reagonte dhe të ndërmerrte masa për të rregulluar dhe riparuar fushën e sportit dhe të gjitha shportat, rrjetat, tavolinat, të cilat bënin pjesë në këtë hapësirë. Do të kishte shumë mënyra veprimi. Vetëm të informohej publiku se çfarë po ndodhte me këtë ngjarje, do ta bënte ngjarjen për të aktivizuar edhe vullnetarë, të paktën për ta pastruar atë ambient! Madje një veprim shumë i mençur do të ishte sikur drejtori i shkollës të diskutonte me nxënësit se si këso skenash nuk do të duhej të ndodhnin kurrë dhe të përfshiheshin edhe nxënësit për të parë mjedisin e tmerrshëm, në mënyrë që të mësonin se kjo sjellje e dëmtimit të fushës së sportit është jashtë çdo norme njerëzore dhe morale. Po ashtu, Drejtoria për Arsim, nëse e përkufizon se përgjegjësia i takon menaxhimit të shkollës “Thimi Mitko”, pasi gjindet prapa objektit të shkollës dhe shfrytëzohet edhe për nevojat e nxënësve, do të duhej të reagonte me përgjegjësi, qoftë edhe me tërheqjen finale të vërejtjes ndaj drejtorit, madje-madje edhe duke e shkarkuar menjëherë atë. Nuk do ta kuptoja një drejtor i cili mund të jetë drejtues i një shkolle dhe prapa shkollës nuk shikon për çdo ditë se çfarë ndodh rreth oborrit të shkollës ku vepron. Madje, edhe fare të mos vepronte dhe po e hipotetizojmë se ai fare nuk ka të bëjë me atë fushë, do të duhej t’i njoftonte organet përgjegjëse në komunë, të reagonte për dëmtimin e një projekti aq të rëndësishëm për fëmijët dhe nxënësit, siç është fusha e sportit prapa “Thimi Mitkos”.
Do të duhej të ndërhynte edhe Drejtoria për kulturë, Rini dhe Sport, sepse kjo ka të bëjë me sport dhe të ketë ndjeshmërinë e reagimit ndaj terreneve sportive për nxënësit. Ne e dimë që shumë terrene sportive mungojnë për rininë. Mungojnë shumë hapësira sportive dhe nëse nuk ka buxhet për investime në terrene të reja sportive, atëherë këto terrene ekzistuese apo të cilat janë financuar nga donatorët e huaj, do të duhej t’i ruanim në mënyrë shumë të kujdesshme. Çfarë do të thoshte donatori i USAID-it sikur të kalonte andejpari, të shihte dëmtimin brutal të fushës së sportit dhe pajisjeve që gjinden në këtë hapësirë?! A nuk do të dërgonim mesazhin shumë të keq që ne jemi bukëpërmbys?! Se jemi të papërgjegjshëm edhe ndaj investimeve që vijnë falas apo në bashkëpunim me donatorët?! E si mund të fitojmë besimin e donatorëve me këso sjelljesh të papërgjegjshme? E si mund të dërgojmë mesazhe pozitive dhe inkurajuese te donatorët e tjerë apo te donatorët e njëjtë për investime të tjera, nëse shohin ata këtë fushë të sportit të dëmtuar në mënyrën më agresive dhe shkatërruese?! Pse nuk i mirëmbajmë objektet/investimet tona e të huaja që bëhen në vendin tonë? Pse nuk rritet përgjegjësia dhe të thellohet bashkëpunimi e kordinimi i komunës edhe me policinë në komunitet apo policinë në përgjithësi, për të gjetur keqbërësit e prishjes së objekteve publike?
Po e zëmë se kjo ngjarje ka ndodhur nga ndonjë uragan. Po ndërhyrja a nuk është obligim i njeriut dhe institucioneve? A nuk paguhemi nga qytetarët për të reaguar ndaj ruajtjes së interesit publik?!
TË BËHET NJË PLLAKË E KEQARDHJES PËR SHPËRBLIM NGA USAID
Një prind teksa po merrte dy bijat e tij, na tha teksa po bënim ca fotografi të fushës së dëmtuar të sportit se, jemi tepër të indinjuar me këtë pamje dhe fëmijët tanë shpesh janë argëtuar këtu, por jemi të habitur qysh është e mundshme që aq shumë kohë po qëndron kjo pamje kështu dhe askush nga komuna dhe drejtoritë përkatëse, nuk po reagojnë?! Ndonëse ulëset në këtë fushë të sportit të mahnitnin dhe ishin me një renditje super të kënaqshme, njeriu nuk mund të rrinte gjatë për të soditur këtë fushë të sportit, nga vandalizmi i organizuar që shihej se kishte ndodhur aty. Pasi kemi lënë fushën e sportit, sapo dalim nga pjesa kryesore e saj, në një pjesë të murit të objektit të shkollës, lexojmë dhe fotografojmë këtë tekst nga pllaka mirënjohëse:
“Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në partneritet me komunën e Gjilanit, financuan projektin “Ndërtimi i fushës së sportit afër Shkollës Fillore Thimi Mitko”, duke e shpërblyer Komunën e Gjilanit për arritjet në Performancën Komunale” (janar 2013).
Kur e lexuam këtë tekst të mësipërm, edhe më shumë shtohej intensiteti i zemërimit, sepse po thuhej se ishte shpërblyer Komuna e Gjilanit për arritjet në Performancën Komunale (!), ndërsa shkatërrimi i këtij projekti dhe mosreagimi i shpejtë ndaj këtij krimi, ishte argument i gjallë se komuna edhe ato projekte që i fiton nga donatorët e huaj, nuk ka seriozitetin në mirëmbajtje dhe as nuk përkujdeset për to. Në fakt, fatkeqësitë natyrore apo edhe sjelljet vandaliste të personave me sjellje të papërshtatshme apo delikuente në shoqëri, nuk mund të kontrollohen në mënyrë absolute. Madje, ne njohim edhe kufijtë e politikës dhe siç thotë në një libër CDU gjermane, “ne besojmë në natyrën e gabueshme njerëzore dhe e dimë që krejt problemet nuk mund t’i kontrollojmë për të mos ndodhur.” Mirëpo, ne besojmë se qeverisja nuk duhet të dënohet vetëm për gjërat që i ndodhin në gjirin e saj, por edhe për mënyrën, shkallën, shpejtësinë dhe përgjegjësinë e reagimit ndaj dëmit të shkaktuar komunal. Komunën duhet ndëshkuar për indiferencën, pasivitetin dhe hajgarllëkun e treguar pa provuar zgjidhjen e problemeve të lindura. E komuna nuk po e bënë në fakt asnjërën dhe kjo është fatkeqësi tjetër e radhës, përveç dëmtimit brutal të pajisjeve të fushës së sportit dhe këndit për argëtim të fëmijëve, papastërtisë masive prapa shkollës fillore “Thimi Mitko”. Nëse shkollat fillore rrethohen me këso pamjesh që shenjojnë ashpërsi ndaj fushave të sportit dhe rekreacionit, atëherë nuk ka shpresë se do të zgjidhet ndonjëherë problemi i shumë lagjeve dhe miniparqeve që karakterizohen me shiringa narkomanësh, me errësirë, pasiguri të qytetarëve dhe kalimtarëve. Për këtë krim, do të duhej ndërmarrë masa të menjëhershme. Madje, kush ka përgjegjësi për menaxhimin e kësaj hapësire dhe fushe të sportit, të shkarkohet menjëherë! Pamja është shumë vulgare për të qenë të butë. /2lonline/