(2L ONLINE) – Në një debat që ka organizuar OJQ “All forces Together”, nga Gjilani, është bërë prezantimi i një raporti hulumtues, bazuar në intervistat me respodentë nga tri komuna Gjilan, Viti e Kamenicë, e ku nga të gjeturat e këtij hulumtimi del se dukuria e të kërkuarit lëmoshë, me theks të veçantë rreth asaj se a qëndrojnë individ apo grupe kriminale që i detyrojnë lypsarët për të kërkuar lëmoshë, është një dukuri mjaftë shqetësuese.
Nga të pranishmit u tha se ata që kërkojnë lëmoshë janë viktima ndërsa u potencua dyshimi nga të gjithë duke përfshirë edhe prokurorin e shtetit se dikush qëndron prapa tyre. Për më tepër prokurori i shtetit Afrim Shefkiu ka thënë se duhet të bashkërendohen të gjitha institucionet por edhe qytetarët duhet të bashkëpunojnë që të kapen ata keqbërës që qëndrojnë prapa lypsarëve sepse krimi duhet të goditet në kokë . Ai tha se baza ligjore ekziston madje ajo është tejet e rreptë por vetëm duhet vullnet i madh dhe punë për ti kapur grupet kriminale që qëndrojnë prapa lypsarëve.
Edhe Policia e shteti, përmes përfaqësuesve të saj nga Njësiti i hetimeve të Trafikimit me qenie Njerëzore, Fatime Leka- Jakupi dhe Xhezair Dauti, thanë se po bëjnë çmos në luftimin e këtij kriminaliteti por në këtë drejtim tha se ka vështirësi , ka informata pak, dhe duhet siguruar prova të pamohueshme që të mos dështojnë rastet dhe në këtë drejtim ata kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve në sigurimin e sa më shumë informacioneve.
Fadil Kajtazi nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim tha se kjo dukuri është shqetësuese dhe ashtu doli se qenka edhe pas u publikua raporti i prezantuar ku pjesa dërmuese e qytetarëve të intervistuar mendojnë se prapa lypsarëve qëndrojnë individ apo grupe kriminale , por se ai tha se policia dhe prokuroria i kanë të gjitha mundësit për ta luftuar këtë lloj krimi. AI tha se nuk mendon se kjo formë e krimin është sfidë për policinë sepse të kërkuarit lëmoshë është diçka që duket dhe duke u nisur nga lypsarët, mund të shkohet edhe deri tek koka e krimit, por në këtë drejtim vetëm duhet pas vullnet dhe profesionalizëm.
Edhe të tjerët në këtë debat ngrehën shqetësime për këtë dukuri por ata po thuajse që të gjithë ishin kërkues këmbëngulës që institucionet përgjegjëse nuk po bëjnë aq sa duhet sepse faktet janë të dukshme .
Përndryshe, prezantimin e këtij raporti e ka bërë aktivistja e kësaj OJQ-je Marigona Hyseni e cila ka thënë se kanë bërë një hulumtim në terren me qytetarë nëpër vendet dhe lokalitetet ku frekuentimi i rasteve te tilla është më se i shprehur.
Ajo tha se për këtë hulumtim janë bazuar në metodën Analitike Kuantitative, ku si metodologji hulumtuese i kanë përdorur Intervistat e drejtpërdrejta me qytetarë të Gjilanit, Kamenicës e Vitisë.
Hyseni tha se në këtë hulumtim janë përfshirë mesatarisht 150 pjesëmarrës ,prej tyre 62 të intervistuar kanë qenë nga Gjilani, 52 nga Vitia e 36 nga Kamenica.
Pyetësori ka qenë i përbërë nga 13 pyetje dhe disa nga ato gjëra që u vunë në pah si shqetësime edhe nga të pranishmit në debatin e mëpastajshëm ishin të gjeturat që rezultonin se edhe në komunën e tyre ka lypsa që sipas tyre kryesisht janë nga jashtë komunës apo edhe nga jashtë vendit ndërsa 65,33 % të respodentëve kanë thënë se prapa tyre mund të qëndroj ndonjë individ apo grup i organizuar.
Po ashtu shqetësues është edhe fakti se qytetarët thonë se numri i tyre për herë e më shumë shtohet. Përndryshe, qytetarët mendojnë se ata që janë të thirrur me e luftua këtë dukuri shqetësuese janë policia, prokuroria, institucionet komunal, shoqëria civile…
E Mirjeta Ramadani drejtuese e OJQ “All Forces Together” tha se synojnë të nxisin debat dhe të nxisin reagimet e përgjegjësve për t’u luftuar kjo dukuri kriminale veçmas për t’u penguar trazimi me qenie njerëzore dhe të largohen lypsarët që vijnë nga jashtë vendit.
Përndryshe, ndër rekomandimet që dolën janë edhe ato se duhet:
* Angazhimi i Institucioneve për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore ,e sidomos me personat me kushte të vështira ekonomike.
* Ndërmarrja e te gjitha masave , për largimin e lypësve te ardhur nga vendet dhe shtetet e tjera e rajonit.
* Të bëhet identifikimi dhe hulumtimi i të gjitha grupeve Kriminale që merren me këto fenomene dhe të bëhet sjellja e tyre para organeve te Drejtësisë.
* Vetëdijesimi dhe sensibilizimi i qytetareve , për të refuzuar dhënien e ndihmave për Lypsar.
* Angazhimi i institucioneve komunale dhe qeveritare për trajtimin e rasteve sociale të personave vendor me kushte të vështira ekonomiko sociale.
* Të behet identifikimi i vendndodhjes se lapsave si dhe largimi i tyre nga ato lokalitete me qëllim të ndalimit të kësaj dukurie në shoqërinë kosovare. /2l online/