/Mehmetali Rexhepit, në 45 vjetorin e krijimtarisë letrare, poetike, eseistike e filozofike/
Shkruan: Nexhat Buzuku
/2L ONLINE/ – Një rrugëtim nëpër kohë e përtej, një njeri piramidal e i papërkulur, kurrë i nënshtruar, krenar e stoik në çdo vështirësi, stuhi e mjegull. Njeri që pëtej errësirës shihte dritën në mendjen e etnisë së vet. Një njeri me asnjë dromcë oportunizmi, konformizmi e pesimizmi, njeri me shpresë e guxim, i gatshëm e i vendosur për veprime, për ndryshim, për një ditë të re lirie të munguar e dinjiteti të kufizuar. Për atë dritë që do çelë e për atë ditë që do zbardhë…
Që nga botimi i parë, Mehmetali Rexhepi, krijoi identitetin e tij letrar: për çdo botim të mëvonshëm. I veçantë, origjinal në krijimet e tij, nuk e dije kurrë se ç’mund të prisje e, megjithatë, mund të ishe i sigurt se do të kishte atë prekjen e pagabueshme të stilit të tij magjik, imagjinativ, të rrjedhshëm, estetik me nuanca të mrekullueshme filozofiko-eseistike.
Në fabulën e krijimeve të Mehmetaliut, detajet e mistershme përzihen vazhdimisht me të panjohurën, realja me të bukurën, në mes të reales dhe imagjinatës ka një distancë – ligji i të rrëfyerit, ajo që te autori merr dimensionin e magjikës.
Letërsia dhe filozofia, stili i shkrimit dhe estetikja në vargun, fjalinë, fragmentin përshkon gjithë krijimtarinë letrare-filozofike të Mehmetaliut.
Autori nuk shkruan për çfarë ka ndodhur, por ndërton formën e asaj që duhej të ishte ndryshe, një projeksion estetiko-imagjinativ, aposterori, ajo që vjen pas, ashtu siç në filozofi filozof mund të jetë ai që njeh tej sendeve.
Filozofi është i interesuar për të vërtetën, në një ridemsionim tyë gjërave, të totalitetit të botës, universit, pozitës dhe të ardhmës së qenies njeri në të, duke vënë pashmangshëm pikëpyetjen.
Realiteti ndonjëherë është më magjepsës sesa imagjinata, ashtu siç letërsia, krijimi artistik është burim i jetës, kuptimi i saj i vërtet i imagjinuar në rikthimin e reales së shëmtuar në të bukurën e imagjinuar në mungesë të saj nga tjetërsimi.
Poetët imagjinojnë një botë re, me bukurinë e saj të vërtet, e tjetërsuar, dhe filozofët në arenën e ebatit për një mendim tjetër kërkojnë mendimin e ri, duke vënë çdo gjë në pikëpyetjen dilematike: Ku jemi, kah shkojmë dhe cili do të jetë fati dhe kufiri i qenies dhe jetës!
Poetika dhe filozofia janë përpjekje përtej të qenurit i njëjtë, dhe e njejta përsëritet kur mungon ndryshimi! Nocioni i të njëjtës është shëmtia, e tjera është ndryshimi, kapja pas të panjohurës, të asaj që vjen, të resë.
Shëmtia ka mundësi të pakufizuara, e mundësitë e të bukurës janë të kufizuara! Tingëllon paradoksale dhe pothuaj asketike, se lartësitë nuk kanë fund. Besoj në një Zot, mbrojtës i kufijve të njerëzores, luftëtar i vuajtur, shumë i fuqishëm, jo i plotëfuqishëm, luftëtar në kufijtë më të skajshëm, gjeneral dhe mbret i të gjitha fuqive të ndritshme, të dukshme dhe të padukshme.
Besoj në maskat e panumërta, kalimtare që Zoti ka vënë në shekuj dhe shquaj pas rrjedhës së tij të pareshtur unitetin e tij të pazgjidhshëm. Besoj në luftën e tij të palodhur që i jep kuptim jetës. Besoj në zemrën e njeriut ku ditë e natë si një mbrojtës me ideal lufton me vdekjen, lufton me të keqen njerëzore – robërinë e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. I besoj atij që nuk ka thënë kurrë jam vetëm unë, që nuk ka luftuar vetëm për veten e tij, por për idealen, njerëzoren.
Të lumtur qofshin ata që dëgjojnë dhe hidhen të të ndihmojnë të të çlirojnë dhe pasi të kenë çliruar bashkohen me ty, dhe thonë:” Ti dhe unë jemi një”.
Ai që ishte nismëtar në ngjarje, protagonist në procese shoqërore, veprimtar i orëve të para në çdo ecje; ai që vazhdon të jetë një Promethe, një njeri model në çdo kohë; letrar, poet, shkrimtar,filozof e dijetar. Ose atë që thoshte Albert Ajnshtajni se gjëja kryesore që i dallon njerëzit nga njëri-tjetri është dija.
Letrar, eseist, shkrimtar e filozof, veprimtar i orëve të para në secilin rrugëtim, Mehmetali Rexhepi 45 vjet krijimtarie e veprimtarie i fale tokës e popullit tënd! /2L ONLINE/