DYLON

Krijimtaria jetësore e vënë në shërbim të Teatrit -Adem Muji 1958 – 2024

Krijimtaria jetësore e vënë në shërbim të Teatrit -Adem Muji 1958 – 2024
Avatar photo Redaksia

Nga Isak N. Bilalli

/Krijimtaria jetësore e vënë në shërbim të Teatrit -Adem Muji 1958 – 2024/

EkoHigjiena

Teatri për të ndjerin Adem Muji nuk ishte vetëm vendi i tij i punës ku ai duhej të merrte pjesë në projektet që ishin të planifikuara për realizim, por ishte shtëpia në të cilën ndërtoheshin idealet e tij, ishte shtëpia ku forcoheshin themelet e rilindjes kombëtare, institucion në të cilin ai jetoi dhe veproi me përkushtimin më të madh të mundshëm.

Adem Muji i takon gjeneratës së atyre artdashësve që teatrin e kishin shtëpi të tyre dhe puna apo aktiviteti i gjithë kësaj plejade është i realizuar në frymën e kontribut dhënies së mbajtjes gjallë të jetës kulturore përmes shfaqjeve dhe realizimeve artistike te cilat preknin ndjenjën e forcimit të marrëdhënieve ndër vëllazërore shqiptare për largimin e shpurës Serbe nga këto troje. Kjo është arsyeja që e gjithë gjenerata e artistëve përfshirë edhe Adem Mujin, teatrin e shihnin si shtëpi të tyre në funksion të shërbimit që duhej bërë për audiencën respektivisht popullin qe ishte i etur dhe tejet i uritur për ushqim shpirtërorë.

I brumosur me ideale të forta kombëtare, dashuri e pasion për letërsinë e artin, me mision të qartë në kokë në fillim të viteve 80-ta, Adem Muji i bashkohet trupës së Teatrit të Qytetit si një aset tejet i çmuar me parametra interpretuese të admirueshme për skenën. I ndjeri, mbahet mend si një aktor që ka ditur mire t’i jap shpirt roleve në skenë për të cilat interpretime është vlerësuar si aktor me potencial të lartë i cili me pasionin dhe përkushtimin e ofruar krijoi figura respektivisht role që sot e asaj dite rikujtohen me mallëngjim. Ne mesin e kolegëve ai ishte i vlerësuar si një punëtorë i zellshëm, aktor me tipare të dalluara profesionale si dhe një person me zemër të madhe që ishte i gatshëm gjithmonë te jepte gjithçka nga vetja në shërbim të avancimit kulturorë. Zemërgjerësia e tij përshkonte kufijtë e një humanisti që gjithmonë ishte i gatshëm të ishte në shërbim te njerëzve çfarë do qoftë të ishte nevoja.

Për publikun, Muji, ishte fytyrë që shkëlqente në skenë dhe një zë që përcillte emocione të thella, virtyte aspak të sforcuara të cilat i kishte të lindura, por që e bënin të dominonte dukshëm në skenë pavarësisht rolit dhe minutazhës që kishte. Me pak fjalë, ai ishte një prerje që i jepte dinjitet institucionit që përfaqësonte sepse në rolet që atij i besoheshin kishin garancinë e realizimit të kënaqshëm nga ana e tij sepse i ndjeri përveç se detyrat i merrte seriozisht ai i realizonte me përkushtim maksimal. Si natyrë, ishte ai lloj i karakterit që impononte seriozitet dhe reflektim por gjithashtu me qasje tejet artikuluese ndaj çdo problemi për të cilin kërkohej opinion nga ana e tij. Këto virtyte ai i posedonte sepse para së gjithash ishte një dëgjues aktiv i cili pothuajse në çdo instancë dëshironte të mësonte. Këto tipare që kishte ai dinte t’i gërshetonte në rol andaj çdo rol që luante kishte tendencën për ta paraqitur më ndryshe, më bukur dhe më pranueshëm te publiku.

Dashuria e tij për teatrin ishte e pamase dhe e pakufishme.

Kjo dashuri, që sot shume kolegë e cilësojnë si të pakushtëzuar e bënin Ademin të ishte

shembull i përkushtimit profesional, aftësisë prezantuese dhe origjinalitetit të cilat tipare ai i shpaloste me shumë elokuence në skenë përmes roleve të shumta që realizoi.

Krijimtaria artistike aktorit Muji, ka përshkruar një trajektore aq sa të vështirë, të guximshme po aq edhe të rrezikshme dhe të pambaruar, kjo për faktin se ai në vitet e trysnisë më të madhe detyrohet t’ia mësyjë mërgimit dhe tjetra, që ne momentin kur ai fillon të pushtojë skenën evropiane pason vdekja e tij. Padyshim që vdekja e tij ishte një humbje e madhe për komunitetin artistik dhe për gjithë artdashësit.

Karriera e tij artistike sikur është prerë në momentet më kritike sidomos në periudhën e para luftës në të cilën kohë jo vetëm për të ndjerin por të gjithë art bërësit në Gjilan, funksionalizimi i jetës kulturore zhvillohej në kushte të jashtëzakonshme dhe të paimagjinueshme presioni.

Sfidat, vështirësitë, rreziqet, presionet, censura si dhe pengesat e sajuara për të minuar me çdo kusht shfaqjet teatrale sidomos ato me motive kombëtare që nga koha e fillimit të punës si aktor në teatrin e qytetit ishin përditshmëria dhe rutina qe edhe Adem Muji përballej. Pika neurologjike në të cilën ky presion fokusohej ishte te dy aktorët që vinin nga fshati Bresalc-Adem Muji dhe Ramadan Kurti, kjo për arsyen e thjeshtë sepse kjo dyshe i kishte për zemër projektet me motive patriotike.

Para se të shtjellojmë këtë dukuri duhet para së gjithash të elaborojmë periudhën kohore respektivisht aktivitetin publik që ushtroi Adem Muji para se të fillonte punë në teatër, narrative e cila mbase edhe vërteton arsyen se pse dueti Muji-Kurti ishin të urryerit e pushtetit.

Ne fakt karriera artistike e Adem Mujit ka filluar me vetë angazhimin e tij bashkë me mikun e tij Ramadan Kurti në gjallërimin e jetës kulturore në fshatin e tyre, të cilët vunë në skenë shfaqje të ndryshme kryesisht shfaqje me karakter kombëtarë. Maja e ajsbergut ishte  “Hakmarrja” e Jusuf Kelmendit në regji të Kurtit, në të cilën Adem Muji ishte bartës i rolit kryesorë, shfaqje e cila vuri në shënjestër të ndjerin dhe pothuajse gjithë kastën e aktorëve Bresalcas si element destruktiv të shoqërisë “së përbashkuar” Jugosllave.

Rrjedha e aplikimit te censurës që pushteti serbo sllav filloi ta ri-instalonte ishte me e ashpër dhe e drejtpërdrejtë  sidomos në Teatër, që përkonte edhe me fillimin e punës së Adem Mujit si aktor ne stinorin 1982/83. Adem Muji nuk ndaloi së vepruari dhe bashkë me plejadën e art bërësve në Teatër u bënë kështjella e qëndresës e për rrjedhoje çdo projekti të miratuar në repertorë minimalisht i jepeshin ngjyrime kulturore shqiptare. Kjo qasje ishte e qëllimshme sepse tashmë kishin filluar shkëndijat e shpërbërjes se shtetit që quhej Jugosllavi, dhe në teatër realizoheshin shfaqje në të cilat shpreheshin shkëndijat e para të ardhjes së lirisë.

Karriera e aktorit Muji ishte në ngritje dhe kjo është e dëshmueshme nga rezultatet të cilat vinin një nga një e të cilat kulmuan në sezonin 1987/1988 respektivisht në Festivalin e Teatrove të Kosovës ku ai, u stolis nga juria profesionale me çmimin e parë, si aktori me i mire i Festivalit me rolin e Habilit në shfaqjen “Familja e Shenjtë”

Poashtu, në shfaqjen “Emigrantet” tekst universal mbi fenomenin e migrimit por regjisura e Muharrem Sylejmanit dhe loja skenike kreative e Mujit dhe Kurtit bënë që kjo shfaqje të jetë kambanë për pajtim ndër shqiptar dhe thirrje për shqiptarët që të bashkohen rreth idealit për të luftuar armikun i cili me çdo kusht dëshironte të zbrazte Kosovën.

Ne vazhdën e turbulencave të forta në të cilën u gjend Teatri, të njëjtin fat dhe presion përjetoi edhe aktori Muji i cili pas dëbimit të tij dhe gjithë kolegëve të teatrit për shkak të qënit shqiptarë, i zhgënjyer, pa asnjë opsion tjetër ne tavoline detyrohet të zgjedh rrugën e largimit nga Kosova  si zgjidhje ekzistencialiste. Marrja e kësaj rruge ishte mbyllja e një kapitulli artistik të rëndësishëm edhe pse largimi ishte i detyruar dhimbja me e madhe për një artist ne këto raste është ndarja nga shtëpia ku aktori ka krijuar, pohon Ramadan Kurti i cili përcjell emocionet që i ndjeri ndau me të pasi u largua nga Kosova. Thuhet qe shpirti krijues në asnjë rrethanë nuk mund të gjej qetësinë pa u ri-zhytur në thellësitë e  botës së artit respektivisht një aktor asnjëherë nuk ndjehet vetja pa gjetur mënyrën dhe rrugën për te ngjitur shkallët e skenës.

Periudha e pasluftës e gjen Adem Mujin të inspiruar për një krijimtari që lidhet prapë me boten e artit por në një terren tjetër kuptohet jashtë Gjilanit, edhe pse vizitat e tij kanë qenë të rregullta në këtë teater ku filloi krijimtarinë. Ne Kosovën e pasluftës, Muji kthehet në një format tjetër i cili me sukses u promovua në botën e televizionit edhe atë në cilësinë e rolit bartës në telenovelën e produksionit të RTK-së, “Qyteti pa lum”

Por, përveç këtij projekti të ndjerit ju desh kohë të përgatitej dhe të shtronte terrenin për t’u ngjitur në skenën e qytetit ky jetonte në Gjenevë, edhe pse aksesi dhe mundësia për të krijuar në këtë teatër ishte shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur.

Mujit nuk i mungonte guximi dhe vullneti për të synuar prezantimin e vlerave shqiptare në këtë metropol botërorë. Ai arriti të përgatiste deri në detajet e fundit vënien në skenë të një shfaqje për prezantimin e vlerave të diasporës shqiptare në kontekstin e përfitimit ndërkulturore që Europa akoma ka nevojë të njihet dhe të përqafojë këto vlera, por fatkeqësisht vdekja e parakohshme e tij e bëri të veten që ky projekt të mos arrije deri te publiku.

Kalimi i tij në amshim, e ndali rrugëtimin e guximshëm të aktorit Gjilanas që synonte të mos ndalej se krijuari edhe pse rruga e tij ishte ndryshe dhe nga distanca gjithmonë në shërbim të teatrit dhe për teatrin duke u bërë padyshim një nga kolosët që nuk kurseu asgjë për mbarëvajtjen dhe funksionimit e shtëpisë së tij që vazhdon të quhet Teatër.  /2LONLINE/