Krijimtaria artistike e Jashar Shahiqit në shërbim të Teatrit
Vizioni, përkushtimi dhe puna e pandalshme e aktorit Shahiqi për të avancuar jetën kulturore, trashëgimi e paharrueshme për brezat e ardhshëm.
Shkruan: Isak N. Bilalli
Jashar Shahiqi, është një emër i njohur për publikun artdashës në Anamoravë dhe më gjerë, jo vetëm për faktin se vjen nga një familje me kontribute të çmuara në kulturë dhe art por emri i tij respektivisht rolet e tija kanë lënë gjurmë në historiografinë e skenës, televizionit dhe kinematografisë, si një aktor me integritet të lartë. Jashar Shahiqi, është një nga figurat e rëndësishme të gjeneratës së artdashësve i cili që në moshën rinore, pasionin dhe dashurinë e tij për artin skenik nuk e vendosi në kandarin e rastësisë, por vendosi që të ndjek shkollimin adekuat profesional dhe të i dedikohet me kohë të plotë me shpirt e me zemër artit skenik. Ishte zgjedhja e tij që nga fillimi, që t’i përkushtohej plotësisht artit dramatik me idenë që të ndikonte sado pak në zhvillimin kulturore dhe avancimin e artit në përgjithësi.
Me plot kuptimin e fjalës, ai ka arritur këtë objektiv për të cilin bashkë me kolegët e tij të teatrit kane arritur të avancojnë ne lartësinë e duhur zhvillimin ndër-kulturorë në regjionin e Anamoravës por pse jo, mund të thuhet edhe më gjerë.
Jashari, flet me shumë pasion për te kaluarën kur ai filloi të merret me teatrin si kohën më të paharrueshme dhe më të dashur për te. Ai, sjell në rikujtim kohën si artist i ri, në atë periudhë rinia kishte shumë pak interesim për të ndjekur rrugën e shkollimit artistik, sepse shumica e tyre dhe familjeve në Anamoravë përballeshin me sfida të tjera ekzistencialiste por Jashari ishte ndryshe dhe mendonte ndryshe nga të tjerët.
Ne vitin 1977, ai përfundon studimet e larta në Universitetin e Prishtinës, dega e Artit Dramatik nën mbikëqyrjen e profesorit Faruk Begolli nga i cili kishte privilegjin të mësonte cilësisht për specifikat dhe dimensionin e gjerë të punës së aktorit. E filloi punën si aktor profesionist dhe i dëshmoi publikut besnikërisht me shërbesë profesionale nga dita e parë deri në daljen në pension si një aktor i kompletuar që ka ditur t’i jap roleve identitet dhe vlerë.
Kur jemi të atributet dhe cilësitë e një aktori, duhet te vështrojmë thellë se si dhe me çfarë cilësie një aktor paraqet rol-in apo personazhin në skenë?
Jashar Shahiqi ka ditur te i jap ngjyrime të theksuara roleve, dhe personazhet e tija të luajtura ne skene të jenë gjithmonë komplementare me rolet apo aktoret e tjerë, por të jetë i dalluar aq sa teksti dhe koncepti regjisorial ka kërkuar të jetë i dalluar. Rolet e tija variojnë dhe lundrojnë në të gjitha zhanret artistike si një aktor qe ka ditur gjithmonë të i jep seriozitet dhe rëndësi fjalës në skenë. Por, jo vetëm kaq sepse ai, ka dëshmuar profesionalizëm edhe në komedi në të cilat role ka ditur të nxjerr elemente të dalluara metafore, sarkazme, ironie pse jo edhe të qeshura me raste kur profili i personazhit ka kërkuar një gjë e tillë.
Krijimtaria e tij e gjatë dhe e larmishme në Teatër e bën atë një aktor universalist që ka prekur me rolet e tija pothuajse të gjitha llojet e roleve apo karaktereve që ai ka luajtur ne skene siç thuhet në gjuhën e skenës ka përkaluar nga lypësi në mbret duke arritur të paraqes te publiku si është më së miri rolet që ka luajtur. Loja ne skenë është vetëm ajo se çfarë i serviret publikut por çfarë është me rendësi te një aktor teatri, është puna e gjatë dhe e mundimshme që bëhet deri sa shfaqja të jetë e gatshme për publikun për t’u shikuar dhe shijuar. Ne këtë kontest, Jashari ka bashkëpunuar ngushtë me shumë regjisore dhe art bërës nga të cilët ai pranon se ka mësuar shumë nga këto lloj marrëdhënie e cila ka qenë gjithmonë reciprokisht korrekte dhe kolegiale. Bashkëpunimet që ai i vlerëson janë me regjisorë të shumtë, kuptohet të parin gjithmonë e vendos profesorin e tij të ndjerë Faruk Begollin dhe vazhdon me xhaxhain e tij Muharrem Shahiqin për të vazhduar me Fetah Mehmetin, Atdhe Gashin, Milto Kutalin, Nuhi Matoshin, Jeton Ahmetajn, Adem Mikullovcin, Enver Petrovcin, Ismajl Ymerin deri te regjisori anglez Tony Grady e shumë të tjerë. Lista është e gjatë edhe me shumë aktorë të plejadës së vjetër dhe te re, me te cilët ka bashkëpunuar ne realizimin e roleve të panumërta në skene e në shesh-xhirim. Për punën në skenë, Jashari e dallon nga të gjithë maestron, të ndjerin Muharrem Sylejmanin te cilin e kishte edhe mik të veçantë por që këtë lidhje miqësore e kolegiale e forconte edhe më shumë aktiviteti dhe rolet në skenë.
Kjo marrëdhënie pothuajse e ngjizur me skenën në përgjithësi, e aktorit Shahiqi ngacmon kureshtjen e lexuesit se çfarë nënkupton shërbimi në Teatër për te, sepse te Jashari shohim një shërbim jetësore apo një jetë të kaluar në Teatër ne shërbim të këtij institucioni. Teatri për Jashar Shahiqin, është burim nga i cili gjithmonë del ujti që njerëzit e përdorin për të freskuar trupin dhe shpirtin. E përdor këtë metafore jo pa qëllim sepse njeriu gjithmonë është i kapluar nga etja dhe uji është jeta pa të cilin njeriu nuk mund të ekzistojë. Për, Jasharin jeta dhe funksionimi i një kombi nuk mund të mendohet pa Teatrin njësoj siç nuk mund te jetohet pa ujë.
Është ky vizion që Jashari e ka zbërthyer në terma konkret duke e filluar nga familja e tij e ngushte sepse shërbesën për teatrin e quan nder dhe privilegj që atij ju ka mundësuar të realizojë gjate karrierës se tij, te cilën filozofi jetësore dhe artistike po e trason edhe i biri Albani, i cili suksesshëm po realizon një karriere artistike tejet solide ne teater, film e televizion.
Kontribut i çmuar i aktorit Jashar Shahiqi në udhëheqje e menaxhim të Teatrit
Që puna e tij ishte e lidhur me zhvillimet lidhur me teatrin e dëshmon fakti që kur është kërkuar në forma të ndryshme të mbrohet ky institucion dhe të mos ndalet rrjedha e zhvillimeve, Jasharin e gjejmë në nivelin e përgjegjësisë më të lartë. Ne dy etapa historike të mbijetesës rimëkëmbjes së zhvillimeve kulturore në Kosovën e para dhe pas luftës, Jashari i prinë zhvillimeve kulturore në një nga rrethanat më të vështira dhe më të rënda duke qenë fillimisht koordinator i Teatrit ne kuadër te qeverisjes paralele dhe gjithashtu edhe në Kosovën e pasluftës në vitin 2001 si drejtor i teatrit te qytetit ne Gjilan.
Periudha e pas-luftës, kur Jashari ishte drejtues i Teatrit u realizuan shfaqje të nivelit të lartë artistik, në bashkëpunim me regjisorë të njohur nga trojet shqiptare dhe nga jashtë vendit, përfshirë Anglinë. Në këtë periudhë u vu në skenë edhe Romeo e Zhyljeta nga William Shakespeare, si dhe vepra të autorëve të mëdhenj, duke marrë pjesë në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare dhe duke fituar çmime të rëndësishme.
Duke pare këto rezultate dhe aftësitë e tij menaxheriale dhe profesionale në skenë, në vitin 2003 Jashari përzgjidhet nga Ambasada Amerikane për vizitë studimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës SHBA, me qëllim të njohjes dhe familjarizimit te hollësishëm me punën e teatrove në Amerike me qëllim të ndarjes së këtyre përvojave dhe aplikimit në kontekstin Kosovar.
Krijimtari po aq e suksesshme e aktorit Shahiqi edhe në film e televizion
Përtej punës së tij ekselente në skenë, krijimtaria artistike e Jashar Shahiqit në film e televizion është tejet e pëlqyeshme dhe meriton vlerësim dhe salutim sepse me rolet e realizuara para syrit të kamerës gjithmonë ka dhuruar emocione të veçanta.
Publiku e kujton me nostalgji si aktor ne filmin e metrazhit te gjate, “Lepuri me pesë këmbë” në të cilin projekt realizoi punën e tij bashke me artiste te tjerë Kosovar qe lanë gjurme ne kinematografi. Ai, gjithashtu ishte pjesëmarrës në disiplinën e filmit të metrazhit të shkurtër si aktor, kontribut që kurrë nuk ngurroi të dhuroje nga ana e tij.
Që aktori Jashari ishte i pëlqyeri i regjisorëve te shumte tregojnë rolet e shumta edhe ne emisionet dhe serialet televizive në të cilat ai mori pjesë suksesshëm përfshirë edhe skeçet e shumta dhe programet komike në TVP (Televizioni i Prishtinës) dhe RTK. Ai veçon projektet/serialet “Familja moderne” dhe “Kafeneja jonë” por gjithashtu vlerëson nga karriera projektet “Një buqete buzëqeshje” me regjisorin Koco Devole dhe “Buka e Kosovës”
Për shkak te faktorit moshë, Jashar Shahiqi nuk është aktiv në teater e film, por vazhdon të jetë këmbëngulës qe përkundër vështirësive shëndetësore që i shfaqen të marrë përgjegjësi të caktuara sepse ai vazhdon të dashuroje me zemër e me shpirt teatrin dhe profesionin e tij si aktor. Një nga angazhimet e fundit të tij është pjesëmarrja individuale në prezantimin e brand-eve ndërkombëtare për kompani marketingu te cilët promovojnë produkte dhe shërbime të ndryshme.
Krijimtaria artistike e aktorit Jashar Shahiqi
- Familja e Peshkatarit (1971) – Roli: Vehibi | Regjia: Nuhi Matoshi
- Varret e pafajshme – Roli: Osmani | Regjia: Sabedin Shahiqi
- Filloktetit – Roli: Odiseu | Regjia: Fetah Mehmeti
- Po vjen Godoja – Roli: Elsagoni | Regjia: Faruk Begolli & Atdhe Gashi
- Lot Vaka – Aktor | Regjia: Muharem Sylejmani
- Dinozauri (nga Jusuf Buxhovi) – Aktor | Regjia: Ismajl Ymeri
- Sfinga e Gjallë – Roli: Kabili | Regjia: Shukri Berisha
- Froni (nga Naser Zymberi) – Aktor | Regjia: Muharem Sylejmani
- Kufijtë që s’preken (nga Hysen Kqiku) – Aktor | Regjia: Muharem Sylejmani
- Një natë në Hotel – Aktor (nga Muharem Shahiqi)
- Gjenerali i ushtrisë së vdekur – Roli: Gjeneral Lejtnanti | Regjia: Milto Kutali
- Miza në vesh – Aktor | Regjia: Atdhe Gashi
- Romeo e Zhyljeta – Aktor | Regjia: Tony Grade
- As parë as njohur – Aktor | Regjia: Milto Kutali
- Ura e sakrificës – Aktor | Regjia: Sokol Angjeli
- Vegullija (nga Beqir Musliu) – Aktor | Regjia: Fadil Hysaj
- Ligatina (nga Musa Ramadani) – Aktor | Regjia: Ismajl Ymeri & Jahi Jahiu
- Hamleti (nga William Shakespeare) – Aktor | Regjia: Ekrem Sopi
- Bunari afër shtëpisë (nga Jeton Neziraj) – Aktor | Regjia: Emin Halili
- Gomari diverzant (nga Jeton Neziraj) – Aktor | Regjia: Jeton Ahmeti
- Teatri në pazar – Aktor | Regjia: Muharem Sylejmani
- Jetë me qira (nga Rafet Abazi) – Aktor | Regjia: Ekrem Sopi (… dhe shumë të tjera)
Filma te metrazhit të gjatë
- Lepuri me pesë këmbë – Aktor
- Duart e pastra – Aktor
- Migjeni – Aktor
- Kur shpirti ndërron jetë – Aktor
- Baba dimri, Liza dhe Tina Filma të metrazhit të shkurtër
- UN – Kosova – Aktor ⸻
Aktor në seriale televizive të njohura si:
- Familja moderne – Aktor
- Kafeneja jonë – Aktor
- Një buqete buzëqeshje – Aktor
- Buka e Kosovës – Aktor (dhe shumë të tjera)
