DYLON

Krijimtaria artistike e gardianit të kulturës së Anamoravës

Krijimtaria artistike e gardianit të kulturës së Anamoravës
Avatar photo Redaksia

Arsimtar Hetem Arifi, një nga kontributorët e zellshëm në shërbim te rritës së teatrit të Gjilanit Hetem Arifi-Seferi (1945-2019)


Nga: Isak N. Bilalli

EkoHigjiena

Mësues, humanist, aktor, dramaturg, regjisorë, artdashës, atdhetar e patriot janë sinonime që e përshkruajnë më së miri Hetem Arifin, njeriun që gjatë jetës se tij ishte një nga shtyllat mbajtëse të gjallërimit të jetës kulturoro-artistike në rajonin e Gjilanit. Kjo gamë e gjerë kontributdhënie e bënë arsimtarin e nderuar të quhet pa mëdyshje si një nga gardianet e zhvillimeve kulturore në të cilat aktivitete le që nuk mungoi asnjëherë, por ishte një nga prijësit që nuk ka ngurruar të mbajë bajrakun në çdo instancë.

Duke qenë se ishte i brumosur me ideale të forta kombëtare ai u përndoq, persekutua e u burgos nga regjimi kriminal serbo-sllav, dimension për te cilin është shkruar dhe është përmendur në masë jo të kënaqshme, por pak, në mos fare nuk është shkruar deri më sot për te, ne perspektiven e kontributdhënies, dashamirësisë dhe dashurisë që i ndjeri kishte për teatrin dhe kontributin që ai e ka dhënë në këtë fushëveprimtari.  

Teatri, respektivisht skena për arsimtarin Hetem ishte njësoj siç ishte për te mësuesia apo mësimdhënia, ngaqë për të dyja ndante të njejtën konsiderate e për rrjedhojë me shumë krenari i quante të shenjta. Vështruar nga kjo perspektivë teatri për arsimtarin e nderuar ishte foleja ku të rinjtë në veçanti fëmijët, fillojnë të furnizohen me arsenal të shumëllojshëm kulturorë, nxënie që ndikon në forcimin e idealeve kombëtare.

Sipas tij, ata që ndjekin dhe japin kontribut në këtë tempull diturie bëhen ushtarë të denjë, të gatshëm të luftojnë për atdheun në çdo kohë dhe të sakrifikohen në çdo moment. Teatri është biblioteka më e mirë ku nxënësit e rinia duhet të zbarkojnë çdo herë që ka shfaqje për tu pajisur me receta të reja atdhedashurie dhe të mësojnë sa më shumë për kombin e atdheun. Teatri është tempulli ku mësohet më së miri historia e atdheut si dhe si duhet te mbahet gjallë identiteti kombëtarë.  

Arsimtari Hetem ishte një artdashës që parësore e kishte kombin respektivisht ruajtjen e vlerave kombëtare për të cilat ideale ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka dhe çfarëdo që kërkohej nga ai.  Mbase për shkak të përjetimeve të forta dhe dashurisë së madhe për atdheun, tek i ndjeri dominonte fjalori i luftës edhe kur shpjegonte rolin e teatrit në formësimin intelektual dhe çfarë efekti jep në ngritjen kulturore në përgjithësi, ai e ngriste rolin e teatrit në piedestalin më të lartë dhe përsëriste frazën që shpura pushtuese duhet të largohet vetëm me luftë dhe teatri arrin ta artikulojë më së miri këtë mesazh.    

Përtej, përdorimit të këtij lloj komunikimi që ishte një forme thirrje për t’u përballur me armikun shumëshekullor, i ndjeri  fliste në vazhdimësi për armën më të fuqishme që kanë shqiptarët për të iu kundërvënë armikut është dituria dhe atdhedashuria ndjenja të cilat duhej të shfaqeshin sa më shumë në skenë për ta fuqizuar këtë formësim.

Hetem Arifi, ishte një pedagog i lindur i cili fliste gjithmonë butë dhe rrezatonte kulturë të lartë qytetare, veçori të cilat i përcillte më shumë dashuri të nxënësit e tij. Me natyralitetetin më të madh ai dinte që më shumë durim t’i nxiste nxënësit të cilët kishin pasion letërsinë t’i angazhonte në aktivitete letrare dhe në faza të mëvonshme në grupe dramatike të shkollës. Aktivitetin extrakurrikular e kishte me më shumë qejf sepse aty fillonte të përgatiste gjeneratën e re të artistëve e artdashësve të cilët sot janë në numër jo aq te vogël. I ndjeri, ishte timonier me grupet letrarëve dhe artistëve të rinj ne shkollën ku punonte dhe i përgatiste këta nxënës që të jenë pjesëmarrës aktiv në organizimet artistike ndërshkollore në komunë e më gjerë.

Por pasioni i tij nuk ndalonte  vetëm me piketimin e talentëve të rinj dhe t’i linte këta artiste në rënie të lirë.

Pasioni i madh për gjuhën, letërsinë, historinë  e bënë atë të zhytet në profesionin e dramaturgut dhe falë këtij vullneti ai shkroi drama të shkurtra për fëmijë, të cilat nuk ngurroi që t’i vinte në skenë. Në momentin kur ai piketonte një numër minimal nxënësish me interesim në aktrim ai arrinte të mblidhte shumë shpejt ekipin për të vënë në skenë tekstet që ai shkruante. Me grupin dramatik të shkollës realizonte shfaqje të ndryshme teatrale dhe në këtë formë i stimulonte ata/ato nxënës që dëshironin të ndiqnin rrugën e artit.

Kontributi i tij nuk përfundonte vetëm në shkollë por vazhdonte edhe në dërrasat e teatrit me nxënës e amator të ndryshëm me të cilët nuk përtonte të punonte edhe pa orar vetëm e vetëm se shfaqja të realizohej si është më së miri.  

Krijimtaria artistike si aktor.

Duke ju referuar pasionit të tij të pashterur për artin e kulturën dhe punën e pashoq që e bënte me nxënësit dhe amatoret e rinj, mësuesi Hetem ishte një nga bashkëpunëtorët më të dashur dhe me besnik i teatrit të qytetit dhe nuk është rastësi qe ai u gjet në role të ndryshme porse numri i roleve të tij nuk është i madh. Krijimtaria artistike e tij  si pjesë e projekteve teatrale është e ndarë në dy etapa kohore; në pjesën e para aplikimit të masave te dhunshme dhe atë pas largimit te punonjësve të teatrit nga godina e teatrit, kohe në të cilën angazhimi në projekte teatrale ishte tejet i vështirë dhe kërkonte guxim të madh.

Ne etapën e parë Hetem Arifin e gjejmë pothuajse në shumicën e shfaqjeve me motive patritiko-kombëtare të realizuara nga teatri aq sa regjisorët arrinin t’i shmangeshin censurës së regjimit komunist. I ndjeri nuk është kursyer të punojë për këto projekte në skenë qoftë nëse ishte nevoja të rrinte 24 ore pa gjumë, vetëm e vetëm që shikuesit të pajiseshin me kulture dhe vetëdije kombëtare. Ne këtë faze te veprimit kulturore ai ishte paksa i kufizuar të vepronte sepse gjate gjithë kohës ishte i ndjekur nga regjimi pushtues i kohës dhe aq sa ishte e pamundur t’i bashkohej trupës së teatrit për shkak se ai paraqiste rrezik me idetë e tija secesioniste në shoqërinë komuniste të kohës. Backgroundi i tij, qëndrimi në burgjet e Serbisë për 9 vite dhe bindjet e tija jo konformiste me regjimin ia bënin të vështirë poashtu edhe drejtuesve të teatrit të qytetit ta angazhonin në shfaqje sepse prezenca e tij dhe përfshirja e tij ishte e rrezikshme.

Përtej rreziqeve, regjisorët e kohës nuk zmbrapseshin në thyerjen e barrierave të regjimit dhe kanë arritur ta fusnin të ndjerin në shfaqjet qe kishin në repertor. Me këtë rast, po citoj regjisorin Ruzhdi Mehmeti i cili kishte marre vendimin për ta angazhuar arsimtarin Hetem si pjese e kastës së aktorëve në shfaqjen “Princi i Hijeve” te autorit Mehmet Kraja (viti 1985) e për pasoje, presioni ishte i madh nga sigurimi i shtetit që ai nuk duhej të merrte rol në asnjë projekt të teatrit. Betejën e fituar për ta angazhuar në shfaqje, regjisori Mehmeti e përshkruan si një gëzim fëmijërore të të ndjerit, aq sa nga ngazëllimi dukej sikur fluturonte në qiell. Duhet theksuar qe kjo shfaqje ishte një nga krye shfaqjet e realizuara nga teatri i qytetit e cila trajtonte metaforkisht motivin e çlirimit, e të lirisë, realizim i cili u shpërblye nga të gjithë konkurrentët e festivalit të teatrove ne ish Jugosllavi.  

Kontributi i tij më i shtuar për teatrin vjen në periudhën e pas viteve ’90-ta, kohe nga më të vështirat që u përball jo vetëm institucioni i teatrit por edhe gjithë arsimi e kultura sepse duhej çdo aktivitet kulturore të përgatitej e organizohej në kushte të jashtëzakonshme nën përcjelljen e vazhdueshme të policisë serbe. Pa fije ngurrimi e mëdyshje, Hetem Arifi iu bashkua aktoreve të teatrit të qytetit të cilët themeluan teatrin lëvizës Aleksandër Moisiu, dhe vazhduan të mbanin gjallë kulturën dhe artin në Anamorave. Ne këtë periudhe shtrëngatash dhe ekzistencializmi, i ndjeri nuk mungoi pothuajse në asnjë lloj aktiviteti artisitiko-kulturorë. Ai, ishte pjese e një numri të caktuar të shfaqjeve që u prodhuan në atë kohë, shfaqje të cilat u përgatitën në kushte të renda pa mjete financiare, nëpër ambiente të improvizuara, të cilat u shfaqen para publikut poashtu në ambiente te sajuara si ne skenat e shkollave, shtëpi kulture ne fshatra e kudo që mblidhej publik.  

I ndjeri, ka ditur të shpërthejë në role ku ka patur mundësi të shpalos para publikut emocionet e veçanta të dhimbjes, qëndresës, rezistencës dhe për këto mbahet mend si një aktor qe ka ditur të paraqes nuancat e ndjesive të thella, për te cilat role është duartrokitur fort.

Në shfaqjen “Bileta e Llotarisë”, ai arriti të realizojë një nga rolet dytësore tejet të pëlqyera nga publiku i cili në momente të caktuara ka arritur të nxjerr në sipërfaqe shpirtin grotesk të rolit që e interpretonte e në këtë mënyrë i dëshmonte publikut që ai dinte të luante shumë mire zhanret e ndryshme artistike. Punën në teatër, dhe çdo rol të cilin e ka punuar e ka pranuar me përgjegjësi të madhe dhe e ka trajtuar me seriozitetin më të madh të mundshëm. Gjatë punës në ekip ai asnjëherë nuk ka shfaqur shenja superioriteti edhe pse konsiderata ndaj tij ka qenë në nivelet më të larta respektuese, ai nuk ka përtuar që në prova të i kthehet e rikthehet trajtimit të nuancave ashtu si ka kërkuar regjisori të realizohet. Puna e tij e zellshme dhe pa përtesë ka bërë që t’i sjell punës ekipore freski dhe motiv për të performuar si është më së miri. Ne veçanti ai i është gëzuar realizimit të rolit nga te rinjtë të cilët disa prej sosh kanë qenë edhe nxënës të tij ndaj dhe një farë forme ekipin me të cilin punonte ne një shfaqje e ka trajtuar si anëtarë të familjes së tij.

I ndjeri, shfaqjen teatrale e perceptonte si formën më të përsosur të pasqyrimit të një mendimi apo të një ngjarje që i bën njerëzit të mendojnë më thellë dhe të vetëdijesohen për një kauze të caktuar. Në këtë perspektive teatri për te ishte i shenjtë dhe ishte tempulli ku publiku vjen dhe vetëdijesohet për të ruajtur dhe mbrojtur vlerat kombëtare për të cilat vlera ai qëndroi i palëkundur deri në vdekje.

Gjatë etapës së dytë të funksionimi të teatrit arsimtarin Hetem e gjejmë të angazhuar në shfaqje të ndryshme por krahas roleve më shumë aktiv ai ishte në mbajtjen e organizimeve kulturore që mbaheshin në shërbim të ruajtjes së vazhdimësisë artisitiko kulturore siç ishin orët letrare me të rinj dhe organizimi tradicional flaka e janarit. Aq sa rritej e shtohej reprezalja, dhuna e tendenca e shfarosjes së shqiptarëve nga pushteti serbo sllav, i ndjeri behej më aktiv dhe më qendrëstar ndaj pushtuesit, e për rrjedhoje aktiviteti i tij edhe në shoqatën Nënë Tereza shpeshtohet dhe bëhet i pakontestueshëm.

Aktiviteti intensiv në teatër, pjesëmarrje dhe udhëheqje në organizime kulturore, kontributi vullnetar në shoqatën Nene Tereza, ndihmat që dërgonte i ndjeri të nevojtarët dhe ndihmesën logjistike deri te ushtarët e UCK-së paraqiste problem dhe shqetësim serioz për pushtetin vrastar serb dhe për rrjedhoje ai prapë burgoset.

Fale ndërhyrjes së kryqit të kuq nga Gjeneva arsimtari i nderuar lirohet nga burgu i cili kishte përjetuar dhunën me çnjerëzorë të mundshme. Kolegu dhe bashkëveprimtari i tij Hysen Keqiku rikujton një bisedë të zhvilluar me te pas daljes nga burgu, se hetuesit e policet serb e kishin torturuar aq rëndë sa e kishin hedhur për të vdekur sepse në një moment sipas të ndjerit ai kishte përkaluar në amshim por kishte ndodhur një mrekulli nga zoti që i ndjeri ishte rikthyer në jetë. Mbase shpirt çiltërsia dhe dashuria e madhe për te parë e shijuar lirinë, zoti tregohet bujar me arsimtarin Hetem dhe e kalon edhe këtë sfide qe është shume e vështirë për qenien njerëzore kur plagët e dhuna e bëjnë Punen e vet.  

I ndjeri, edhe pas luftës vazhdoi të ushtrojë aktivitetin e tij me ditar në dorë, pune te cilën e bënte më shumë për t’ia ushqyer nxënësve njohjen e identitetit kombëtarë dhe rëndësinë e shtet bërjes duke i nxitur të lexojnë sa me shumë poezi, proza, drama, romane e letra shqipe.  /2LONLINE/