Kreu i Vitisë takon udhëheqësit e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan
/2L ONLINE/ – Kryetari i komunës Sokol Haliti ka pritur sot në një takim drejtorin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan Arton Hoxha dhe publicistin e shkrimtarin Sabit Rrustemin. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i librit “Trashëgimi kulturore e Rajonit të Gjilanit”, që vjen si një pasqyrim që zbardh gjurmët e lashta arkeologjike, arkitektonike, të kultit, si dhe gjurmët shpirtërore të këtij populli.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka përgëzuar ekipin punues duke u nisur nga kryeredaktori i librit Arton Hoxha dhe gjithë stafin realizues për punën e bërë në këtë publikim që hedh dritë mbi gjurmët e trashëguara historike nëpër kohë e deri në ditët e sotme. Arton Hoxha, drejtor në QRTK në Gjilan, është shprehur se një libër i tillë, i cili është I pari I këtij lloji në rajon, kaherë i është dashur Gjilanit dhe Anamoravës.
“Veprimtarinë e saj prej njëmbëdhjetë vjetësh, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Gjilanit e kurorëzon me një botim që i ka munguar kësaj krahine të Kosovës, Anamoravës”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa Sabit Rrustemi ka theksuar se ky libër nuk lë anash as edhe ato themele të pakta arkitektonike, sidomos pasurinë shpirtërore të besimeve tona, nisur nga kishat ilire-romake, ato mesjetare dhe më vonë xhamitë.
Në këtë botim të ilustruar dhe me dhjetëra pamje me ngjyra, një vëmendje të posaçme iu përkushtohet edhe objekteve publike dhe atyre banesore, të cilat i shpëtuan dhëmbit të kohës dhe sot gjithashtu gjenden nën mbrojtje të përkohshme si dëshmi e mënyrës së zhvillimit të jetës shoqërore dhe individuale nëpër kohë. /2L ONLINE/
