Në një debat me qytetarë, që u mbajt sot në lokalet e shkollës teknike profesionale në Viti, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka prezantuar raportin e punës gjashtë mujore të Institucioneve komunale, si dhe planet për të ardhmen.
Në raportin e tij, kryetari Haliti fillimisht e nisur me thënien se “Një qeverisje e suksesshme është e pamundur pa bashkëpunimin e ngushtë me qytetarë”. “Parim i qeverisjes sonë, është dhe mbetet qeverisja me qytetarët, për qytetarët dhe nga qytetarët, që përbën thelbin e një qeverisje të mirë, demokratike, transparente dhe llogaridhënëse. Më gëzon fakti, se çdo vendim dhe punë e jona deri më tani, ka marrë legjitimitetin dhe konfirmimin nga qytetarët. Unë sinqerisht, falënderoj çdo qytetarë të komunës sonë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar. Mbetemi të angazhuar që ky bashkëpunim me qytetarë të rritet edhe më tepër, në mënyrë që puna jonë të jetë direkt e lidhur me interesat e tyre dhe çdo banorë i komunës sonë të përfitoj nga puna dhe angazhimi jonë. Puna jonë gjatë kësaj periudhe, do të ishte e mangët pa kontributin e donatorëve dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare, si përmes investimeve në projekte të ndryshme, ashtu edhe përmes ngritjes së kapaciteteve tona”, ka thënë Haliti.
Ai gjithashtu ka theksuar se Qeveria komunale, edhe këtë gjashtëmujor ishte e përkushtuar të ofroj një jetë sa më të mirë për qytetarët e komunës sonë, të ofroj shërbime më cilësore publike, të rris kualitetin e arsimit, të ofroj shërbime më të mira mjekësore, të ndikoj në rritjen e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve tanë përmes investimeve direkte në bujqësi dhe përmes krijimit të një ambienti më të mirë për zhvillim ekonomik, të krijoj një ambient më të pastër për jetesë, përmes mirëmbajtjes dhe rritjes së hapësirave të gjelbra në të gjithë territorin e komunës.
E gjithë kjo punë dhe angazhim është bërë përmes një bashkëpunimi të ngushtë me qytetarë, grupe të interesit dhe kategori të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe, është bërë punë e konsiderueshme në të gjithë sektorët me një qëllim të vetëm që të jemi në shërbim të qytetarëve në mënyrë që të kenë një jetë sa më cilësore.
Në këtë debat u parashtruan pyetje për kryetarin, ndërkohë është prezantuar edhe një insert i shkurtër filmik rreth projekteve të realizuara gjatë këtyre gjashtë muajve.