Kreu i Komunës së Vitisë prezanton punën gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur sot takimin e parë publik me qytetarë.
Gjatë prezantimit, kryetari Haliti paraqiti punën e realizuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, duke u ndalur te sfidat me të cilat është përballur komuna, arritjet e shënuara dhe prioritetet për periudhën në vazhdim.
Ai theksoi se, pavarësisht sfidave si kufizimet buxhetore, rrethanat ekonomike dhe kërkesat në rritje të qytetarëve për shërbime më cilësore, Komuna e Vitisë ka vazhduar angazhimin përmes planifikimit të mirë, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes aktive të Kuvendit Komunal në proceset vendimmarrëse.
Haliti theksoi se raporti shërben si bazë për dialog të hapur me qytetarët, analizë të përbashkët dhe përmirësim të vazhdueshëm të qeverisjes lokale, duke vlerësuar transparencën dhe llogaridhënien si parime themelore të punës institucionale.
I pari i Vitisë ritheksoi përkushtimin e Komunës së Vitisë për zhvillim të qëndrueshëm, krijimin e mundësive për të rinjtë, mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.
Pas prezantimit, qytetarët e pranishëm patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe komente, të cilave kryetari Haliti iu përgjigj drejtpërdrejt. /2LONLINE/
