DYLON

Kreu i Gjilanit pret në takim përfaqësues të projektit të USAID-it lidhur me përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe planifikim

Kreu i Gjilanit pret në takim përfaqësues të projektit të USAID-it lidhur me përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe planifikim
Avatar photo Redaksia

Gjilan, 25 shkurt 2022 –  Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me nënkryetaren Leonora Morina – Bunjaku, ka pritur sot në takim drejtoreshën e projektit të ri të USAID-it për kontratë sociale, Dr. Silvia Susnjic.

EkoHigjiena

Në takim është diskutuar lidhur me mundësinë e përfshirjes së Komunës së Gjilanit në projektin, i cili ka të bëj me përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe në planifikim.

Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, pasi falënderoi përfaqësuesit e USAID për vizitën, ka thënë se politika fillon prej nivelit lokal, ku kryetari i Komunës dhe përgjegjësit e institucioneve janë afër qytetarëve e afër problemeve, për të shtuar se mënyra më e mirë e zgjidhjes së këtyre problemeve është duke i përfshirë ata në komunikim.

“Me përfaqësuesit e USAID-it diskutuam për disa çështje të rëndësishme, mes tjerash përfshirja në vendimmarrje e qytetarëve edhe në planifikim, projekt ky që do të fillojë së shpejti e besoj që këtu do të jetë e përzgjedhur edhe Komuna e Gjilanit. Ka të bëjnë me mënyrën se si të komunikojmë me publikun, por edhe përgjithësisht ndryshimi i komunikimit të qytetarëve me institucionet lokale, që ndikimin final mund ta ketë edhe në ngritjen e besimit në institucionet e nivelit lokal, ku zgjidhja e problemeve është më e lehtë”, ka thënë kryetari Hyseni.

Pasi e falënderoi për pritjen, drejtoresha e projektit të ri të USAID-it për kontratë sociale, Dr. Silvia Susnjic, tha se shpreson që Gjilani të jetë e përfshirë në mesin e pesë komunave në kuadër të këtij projekti.

“Projekti ka për qëllim pjesëmarrjen e qytetarëve në konsultimet publike dhe të forcojë urat në mes të institucioneve lokale dhe qytetarëve për t’i zgjidhur problemet. Kah fundi i marsit do të vendosim se cilat prej pesë komunave do të jenë partnere dhe ndihem mirë që Gjilani mund të jetë njëra prej tyre”, ka thënë Susnjic. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.