Kreu i FFK-së me telegram ngushëllimi pas ndarjen nga jeta të ish futbollistit Hajrush Krasniqi
Është ndarë nga jeta ish futbollisti Hajrush Krasniqi, një figurë e respektuar e futbollit të Gjilanit dhe të Kosovës. Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës ka dërguar telegram ngushëllimi.
***
E nderuara familje Krasniqi,
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Hajrush Krasniqi.
Hajrushi ishte një emër i respektuar i futbollit gjilanas dhe një prej atyre sportistëve që me përkushtim e pasion i shërbyen futbollit të Kosovës. Gjatë karrierës së tij si futbollist, ai u paraqit me dinjitet në fanellat e Zvezdës së Gjilanit gjatë periudhës së viteve të 70-ta dhe Dritës, në vitet e 80-ta, derisa karrierën e mbylli te Kika e Hogoshtit.
Edhe pas përfundimit të karrierës si futbollist, Hajrush Krasniqi vazhdoi t’i shërbente futbollit. Deri në ditët e fundit, ai dha kontribut të çmuar si delegat i ndeshjeve në Ligën e Dytë dhe Ligën e Tretë të Kosovës, duke mbetur aktiv dhe i përkushtuar ndaj sportit që e deshi dhe i shërbeu gjatë gjithë jetës.
Në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë komunitetit të futbollit në vendin tonë, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, të afërmve e miqve të të ndjerit.
Kontributi i tij në futbollin e Kosovës dhe përkushtimi i tij i vazhdueshëm do të kujtohen gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.
I lehtë i qoftë dheu dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për Hajrush Krasniqin.
Me respekt,
Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës
