Kreu i FFK-së Agim Ademi viziton legjendën e futbollit gjilanas Shemsedin Abazi
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka vizituar ish-futbollistin e njohur gjilanas, Shemsedin Abazin, i cili po trajtohet në Spitalin Rajonal të Gjilanit pas një rëndimi të gjendjes shëndetësore.
“Sot isha për vizitë të një nga emrat më të mëdhenj të futbollit të Gjilanit dhe Kosovës, legjenda e futbollit tonë, Shemsedin Abazi, i njohur si Shema, i cili ndodhet i shtrirë në spital për trajtim mjekësor. Shema ishte ndër sulmuesit më të spikatur të futbollit kosovar në vitet ’70 dhe ’80, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me paraqitjet e tij me klubet gjilanase dhe me përfaqësimin e futbollit të Kosovës. Shpejtësia, driblimet dhe instinkti i tij për gol e bënin atë një nga lojtarët më të dashur për tifozët dhe një figurë që gjithmonë do të mbetet pjesë e historisë së sportit tonë”, ka thënë Ademi.
Ai shtoi se gjatë kësaj vizite pati mundësinë të bisedojë me Shemën për karrierën e tij të lavdishme, por edhe për sfidat me të cilat po përballet sot, si në aspektin shëndetësor edhe atë ekonomik.
“Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë pranë figurave që kanë dhënë shumë për futbollin tonë, sepse respekti dhe kujdesi për legjendat është detyrim moral dhe institucional. Shemës i uroj që ta kalojë sa më shpejt këtë sfidë shëndetësore dhe të rikthehet në mesin e familjes dhe shoqërisë, teksa shpresoj që së bashku me institucionet dhe komunitetin sportiv do të gjejmë mënyra për ta mbështetur në këtë periudhë të vështirë. Legjendat nuk harrohen kurrë”, ka thënë Agim Ademi, kryetari i FFK-së. /2LONLINE/
