-Për nderë të Flakës së Janarit dhe në pritje të Ditës së Pavarësisë!
Shkruan: Femi HALIMI
Gjithçka në jetën e njeriut lidhet me krenarinë. Krenaria e mba njeriun. Krenaria është ushqimi i shpirtit. Pa krenarinë jeta nuk ka vlerë. Krenaria disi i shkon njeriut tok me shpirtin dhe kënaqësia e saj e mba njeriun tërë jetën. Nuk ka gjë pa të dhe nuk ka si të ketë kur gjithë vlera e jetës ka për kunorë krenarinë. Kështu krenaria bën që njeriu të mburret me të dhe të luftoj për të, i bindur se pa krenari nuk ka jetë. Krenaria ka bërë që njeriu të qëndrojë.
Liria është kushti për krenarinë dhe për këtë për lirinë përplasen burrat dhe trimat gjithë jetën. Nuk ka liri pa krenari dhe siç nuk ka krenari pa liri. Që njeriu të jetë krenar duhet të jetë i lirë dhe që të jetë i lirë duhet të jetë krenar. Për tu bërë krenar njeriu duhet të jetë një luftëtar i fuqishëm, një hero për së gjalli, që krenaria të jetë kunorë në jetën e njerëzve të tij e të kombit. Edhe kur vdes një luftëtar, ai e len krenarinë për njerëzit e vet dhe kështu sakrifica për lirinë çmohet mbi çdogjë.
Krenaria dhe mburrja janë një e njëjta gjë porse krenaria është pushimi i shpirtit dhe mburrja paraqitja solemne e saj. Kështu mburrja për krenarinë është, sikur që është mburrja për lirinë. Njësoj është dhe pa dallim, por që mburrja për krenarinë përkujton frytet e lirisë dhe paqës së njerëzve të kombit, si gjithë njerëzimit. Krenaria në këtë dallon dhe kufizohet me kufinjë kombi. Kështu krenarë janë njerëzit mbrenda një kombi a populli dhe vlerat që vëhen në pah për të cilat janë krenarë njerëzit e një kombi, janë vlera lirie.
Krenaria në liri nuk ka vetëm lirinë për shkak por ka edhe të kaluarën dhe liria peshohet me masë të barabartë me kohën e robërisë. Kështu luftëtarët dhe heronjtë nga koha e robërisë shkëlqejnë në liri dhe e bëjnë lirinë të vlefshme. Njëherit këto vlera mësohen tek të gjithë njerëzit e kombit se si duhet të mbahen e ruhen sikur vetë jeta e tyre, sepse nuk ndahen dot. Pa liri e krenari nuk ka mburrje dhe nuk ka ngritje koke e buzëqeshje gëzimi për lirinë. Liria kështu është përgjysmë kujtim i robërisë dhe shkak për të mbajtur në mend mësimin se jeta e njerëzve të kombit dhe atdheut mëvaret nga përkujtimi, nderimi dhe krenaria për ata që bënë që të bëhet liria. Po, si nuk duhen të jenë krenarë njerëzit e një kombi, kur jetojnë në liri?! Perëndia dha lirinë dhe Tokën e Premtuar, sëpari kur krijoi!?!…
Për lirinë që sjell krenarinë dhe mburrjen dhe për shkakun e shkrimit me këtë temë, duhet të mendojmë thellë dhe të ndajmë një kohë për shpirtin. Të përkujtojmë këto vlera të jetës dhe të bëjmë një si ritual falënderimi. Të bëjmë edhe lutje pse jo, por edhe të shikojmë e hetojmë mëkatet tona, -që ka, -si nuk ka! Nuk ka njeri pa mëkat dhe nuk mund të matë njeriu mëkatet. Të mirat që janë të mundohemi ti mbajmë mirë, siç mbajmë rregullin në shtëpi e në jetë.
Zatën të gjithë ne vrapojmë pas kënaqësive të jetës! Duam të gjithë njësoj të kemi një jetë të mirë, të kemi paranë, të kemi për të ngrënë e për të pirë, për tu veshur e mbathur –dhe nga modelet e klasit të parë gjithnjë. Një mik mund të na blej një palë këpucë nga më të shrenjtat, por nëse nuk na duken neve, kot është hargjimi dhe mundi i mikut. Dhe si kjo gjithë të tjerat kërkesa tona, dëshira e kënaqësi -të njejta tek të gjithë dhe secili sipas mundësive shkon pas tyre tërë jetën.
Pasi nuk jemi të vetëm në këtë botë dhe pasi me të mirën shkon edhe e keqja pandarë, edhe liria ka armiqt e saj të përhershëm. Liria nuk është një ligj natyre, por një pushtet i njerëzve të një kombi të bërë me shtet dhe i cili shtet duhet të mbroj frytet e lirisë. Liria nuk mbrohet rrugëve, as nga grupet, as nga një person me autoritet pakufi. Liria mbrohet nga shteti që ka kombi dhe këtë lirinë e mba dhe mbron forca. Forca e shtetit është në ushtrinë, policinë e gjyqet dhe në pushtetin e kombit. Shteti kështu është kunora e angazhimit të të gjithë luftëtarëve dhe heronjëve të kombit dhe krenaria me mburrje lidhet me shtetin. Janë kështu dy punë në jetë për të cilat lidhemi tërë jetën: -jeta jonë e lirë e natyrshme dhe angazhimi ynë për të mbajtur shtetin. Dy fusha në të cilat jeta jonë shtrihet për gjithë kohën sa rrojmë.
Që nuk jemi vetëm ne në këtë, na e bën me dije armiku. Ky armiku, që haset që nga gjaku jonë i prishur i familjes e deri tek maja e pushtetit të shtetit dhe kombit, që del një pjellë e keqe nga vetja jonë dhe shtrihet brenda gjithë hapësirës së kombit. Kombi mund të jetë shteti vetë, por kombi popull është më i gjërë dhe haset edhe jashtë kifinjve. Populli kështu mund të jetë në shumë shtete dhe mund të jetë me një pjesë edhe në një shtet armik tonin, sepse rrethanat janë kështu që pjesë të kombit mbetën jashtë. Kjo gjendje kështu e bën të vështirë jetën e kombit dhe e rëndon. Në këtë armiqt nga jashtë shfrytëzojnë këtë ndarje dhe bëjnë njerëz tanë për vete kundër vetës dhe i ndërsejnë kundër qenies tonë. Ka kështu armiq që rrojmë me ta, që ndajmë jetën me ta, e që janë njerëz tanë, por që janë armiq, mu sikur armiqt e përbetuar nga jashtë.
Armiqt ndërkaq janë edhe tëndryshëm. Ka armiq kundër kombit që sulmojnë shtetin këtu, ka armiq që sulmojnë lirinë, ka armiq që sulmojnë luftëtarët dhe heronjtë, veçmas të gjallët, ka armiq që sulmojnë shpirtin dhe frymën. Të gjithë heronjtë nuk janë veçse të vdekur. Ka edhe të gjallë, që janë ende gjallë, dhe që janë sikur heronjt të vdekurit, për lirinë këtë. Armiqt ndërkaq këtu përqëndrojnë sulmet e tyre pandërprerë dhe deri në shkatërrim. Prej përqeshjes e hiqit për çdogjë e deri tek mohimi argatët e armiqve rrëmojnë nateditë me zell, me pagë e pa të.
Armiku nuk është një kundërshtar sportiv i një ndeshjeje me kohë të caktur dhe me refer. Armiku sulmon pandalur kurrë dhe pa mëshirë. Gjithë këtë e bën sipas rrethanave dhe kushteve. Ky e nisë me miqësi dhe kalon me armiqësi dhe në afërsinë tonë është i butë, përderisa jemi ne të pranishëm, por po sa të largohemi armiku ndërron me të tjerët dhe sulmon. Kështu armiku është sikur gjarëpri. Pasi gjarpëri nën sqetull nuk shtënet, as armiku nuk duhet të afrohet e mbahet për mik, pa sherr. Një gjarpër që e han gjith botën, të han edhe ty, dhe armiku që arrin ti ndajë e përçajë njerëzit e një kombi, në fund i përpin e zhdukë edhe ata që i bëhen miq, nga mashtrimi.
Mbi të gjitha, armiku sulmon krenarinë. Të gjithë që e sulmojnë krenarinë, janë armiq, -dhe kjo duhet të dihet. Kundërshtojnë krenarinë, por me krenari sulmojnë dhe kur e bëjnë të keqën, krenohen. Armiku tregon vetën vetë. Dëgjoja fjalët dhe qëndrimin dhe me këtë ndahet kush është armik. Kriteri duhet të jetë sikur një shoshë që ndan përnga madhësia të dëshiruarën dhe që lëshon të padëshiruarën. Ka që edhe e përkthejnë gabim me qëllim, sepse u duhet një dëshmi e fortë për të mohuar krtenarinë, sepse krenaria u prish punë gjithë armiqve dhe se nga krenaria nisë linden trimat. Për këtë armiqt thonë se krenaria është e keqe dhe edhe kundër Zotit!…
–Si nuk bën që njeriu të jetë krenar? Si mos të jetë njeriu krenar në Zotin Perëndinë? –Si mos të jetë njeriu krenar në prindët, fëmijët, miqt, kombin, shtetin? Në luftëtarët, heronjtë, miqt që na ndihmuan për tu çliruar? –Pse mos të jemi krenarë? Pse mos të mburremi? –Çka ka të keqe në krenarinë për lirinë tonë?…
Por, jo! Armiqt, -ata nga jashtë gardhit, dhe këta brenda, -që shumë janë edhe vëllezër tanë, që gëzojnë frytet e lirisë të cilën e sollën luftëtarët e heronjtë me sakrificën e mundimet e tyre të jetës, -armiq të gjithë njësoj, -kundërshtojnë lavdin për krenarinë dhe mburrjen. Ata, armiqt, kërkojnë lavdin për vete dhe për zotërat e tyre të shumtë, që vijnë nga të katër anët e botës, por që nuk kanë të bëjnë asgjë me neve. Ne kemi një Zot të vetëm, që është yni, dhe që nuk ka lojë me këtë, por armiqt kërkojnë tjerë zotëra. Armiqt kërkojnë të heqim të gjitha shenjat dhe identitetin me lirinë dhe të shkëpusim lidhjet me ata që sollën lirinë. Armiqt kërkojnë të ndërrojmë kulturën, adetet, traditat, sjelljet, bestytnitë. Armiqt kërkojnë që edhe besimin e rremë ta ndërrojmë me besim të rremë të tyre, dhe që edhe mëkatet ti bëjmë sikur mëkatet e tyre. Me një fjalë armiqt kërkojnë gjithçka vret jetën tonë dhe aspak nuk ndalen në përplasjen e tyre me neve. Megjithëse nga armiku është mirë të mësojmë si të punojmë e angazhohemi, -sepse armiku punon maksimalisht gjithë kohën, -megjithkëtë, -armiku është armik dhe se pse është armik -quhet armik, e jo mik!
Për gjithë këtë, veç mundit e luftarakësisë me çdo kusht për të mbrojtur lirinë, duhet të jemi krenarë me gjithë të mirat tona dhe me të arriturat. Duhet të mësohemi që armiku, -qoftë edhe i shtëpisë, -të ndalet, kufizohet e heshtet. Jo për ndjekje e dënime sipas masës e nevojës, por mjafton që të tillët të ndalen e kufizohen. Gjithë vendi u vërshua me të tillë, që nuk dihen prej nga vijnë, e pse vijnë, e ku vijnë, dhe kush po i çon. E keqja edhe më e madhe është se këta armiq të dërguar janë njerëz të kombit dhe që flasin shqip, tok me armiqt e kombit që nuk flasin shqip dhe që nuk duan kurrë të dëgjojnë shqip….
Nuk është njerëzore që duke pretenduar se qëndrojmë vetë në të vërtetën, dhe duke bërë me dije që mëparë se ne jemi të drejtë dhe për të mirën e kombit, të vërsulemi ndaj krerëve e liderëve, udhëheqësve e të tjerëve me pozita, -të zgjedhur drejtë o me sherr, -e që këtë ta arsyetojmë vetë. Droe është se kritikuesit dhe mëtuesit e së vërtetës dhe së drejtës e kanë me sherr këtë?! Kështu koha ka treguar se një i mirë që bëhet në sy tanë ndaj një të keqi me pushtet, -del rëndom më i keq kur vjen në pozitë të të keqit.
Pizistrati kritikonte e fyente Aristidhin sa qe ky Pizistrati, -kushëriri i tij nga nëna, -në hije të pushtetit -dhe sa Aristidhi ushtronte një pushtet të drejtë. Kur polisi hoq me vota Aristidhin dhe i dha vota Pizistratit, ky që me mëngjes mbushi rrugët me të vrarë. U bë një tiran për katër vjet aq i ashpër sa njerëzit nuk guxonin as rrugëve të sillenin. Kështu Solomoni, që ishte kushëri me të dytë, përqeshte polisin, pse u tradhtua nga fjalët dinake të Pizistratit!…
Krejtë çka mund të bëjmë o të kërkojmë, -çka është e drejtë dhe e lejuar, -është që të lutemi dhe bekojmë udhëheqësit e vendit, ministrat, qeveritarët, kryetarët e komunave, mjekët, gjyqtarët,…e të tjerët, -që Zoti tu jep një frymë të mbarë të mendjeve të shëndosha e të veprave të mira për atdheun. Mbarësia kërkon që të kërkojmë çka është e mbarë dhe e shëndoshë. Kërkesat me akuza, fyerje, sharje, etiketime, shpifje, kërcënime, janë jashtë çdo bekimi dhe nuk mëtojnë asnjë të mirë.
Nuk është mirë që me të njëjtën gojë të flasim mirë edhe keq; me të njëjtën gojë të bekojmë dhe mallkojmë; sepse nuk shkon për njeriun e drejtë e të shëndoshë; sepse nuk shkon nëpër të njhëjtin gyp edhe ujët e pastër edhe ujët e kanalizimit. Njeriu ka një masë dhe në këtë dallohet i drejti e i mbari, nga ai njeriu me sherr dhe me qëllim të lig…
Unë mburrem me të kaluarën, me të tanishmen dhe me të ardhmen e atdheut dhe kombit tim! Me gjithë sakrificat e vuajtjet, megjithë padrejtësitë nëmes vete,…kam kënaqësinë të jam krenar me atdheun tim që arriti këtu ku është. Megjithëse të vërshuar nga armiqt përbrenda e nga jashtë, atdheu im i përballon të gjitha përplasjet dhe del me fitore nga të gjitha këto dhe armiqt të gjithë sëmbrami do të heshten. Në këtë besoj, dhe besoj para se të ndodhë!…Kështu krenaria, që vret më së shumti armiqt, mbi ballë të kombit, -kjo shenjë e lavdit për lirinë, -le të jetë, dritë dhe udhëzim! /2L ONLINE/