Krenare Latifi Kqiku: I gëzohemi reflektimit të opozitës për të ardhur të martën në Kuvend!
Pasi kryesuesi i Kuvendit Komunal ka bërë me dije se ka ftuar për të martën (11.03.2025) seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për ku do të trajtohet kërkesa e Universitetit Publik “Kadri Zeka” për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike me qëllim të rritjes së kapaciteteve të tij, ka reaguar Krenare Latifi Kqiku, shefe e grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo ka thënë se të premten e kishin pritur opozitën për t’i dhënë zgjidhje çështjes së Kampusit të Universitetit “Kadri Zeka”, por ata kishin vendosur të bojkotojnë seancën. Por, shtoi ajo, ndonëse të vonuar, i gëzohen reflektimit të opozitës për të ardhur të martën në Kuvend, për çështjen në fjalë.
“Njoftimet nga Kuvendi, që shpesh vijnë pak para mesnatës, tashmë janë bërë të zakonshme. E fundit ishte mbrëmë, saktësisht në orën 22:23, në ditë pushimi, ndërsa kur ne ftojmë seancat, ata zgjedhin t’i bojkotojnë ato, pavarësisht rëndësisë së çështjeve që duhen trajtuar, siç është hapësira për Kampusin e Universitetit “Kadri Zeka” tani dhe, siç ishte buxheti më parë. Dy nga temat më të rëndësishme që mund të trajtohen gjatë një viti në Kuvendin Komunal”, thotë tutje asambleistja e Vetëvendosjes.
Krenare Latifi Kqiku thotë tutje se loja e opozitës duke keqpërdorur fuqinë politike në Kuvend deri në këtë shkallë, po shkakton bllokada të shpeshta e vonesa me pasoja duke dëmtuar Komunën tonë dhe qytetarët tanë.
“Ne do të jemi aty përsëri dhe do t’i presim me gatishmërinë dhe vullnetin më të madh për arsimin në Komunën tonë, të përkushtuar për zgjidhje të qëndrueshme për Universitetin dhe krijimin e hapësirave me kushte më të mira për studentët”, thotë në fund Krenare Latifi Kqiku, shefe e grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosja. /2LONLINE/
