Krenare Latifi – Kqiku: Gjilani me ngecje të theksuar në fushën e zhvillimit ekonomik

Krenare Latifi – Kqiku: Gjilani me ngecje të theksuar në fushën e zhvillimit ekonomik

Krenare Latifi – Kqiku, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se Komuna e Gjilanit edhe vitin 2019 e mbylli me ngecje të theksuar në fushën e zhvillimit ekonomik. “Projekte të pakta, të papërfunduara e që barten nga viti në vit, zvarriten dhe nuk e dimë se kur do të përfundojnë”, ka thënë ajo.

Latifi Kqiku tha se edhe partneriteti publiko-privat në dëm të pronës publike e në interes të zyrtarëve të pushtetit lokal është edhe një nga shumë të metat që e karakterizojnë vitin 2019.

“Sa i përket synimit të ofrimit të Shërbimeve Publike përmes partneritetit publiko –privat, si dhe krijimit të Zonës Ekonomike, nuk është arritur ndonjë rezultat. Në kontekstin e Programit të partneritetit Publik, Kompania “Ekohigjiena” ka gjeneruar mjaftë probleme dhe si e tillë ende nuk dihet se si do të përfundoj, ndoshta në dëm të interesit komunal”, ka thënë Latifi-Kqiku, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Ajo tha se në program të partneritetit publiko-privat mes komunës sonë dhe Qeverisë zvicerane, gjegjësisht “Swiss Contact” rreth promovimit të potencialit turistik “Penda e Livoqit”, nuk ka asgjë konkrete. E po ashtu asnjë informatë nuk e kemi edhe rreth projektit “Shtrirja e rrjetit të gazit natyror dhe të kompresuar,” projekte këto vetëm të cekura në letër dhe të harruara, e për të cilat nuk ka aspak transparencë. Projekti “Efiçienca e energjisë elektrike nëpër Shkolla dhe Institucione” është edhe një aktivitet tjetër i ngecur e jo transparent dhe nuk dihet kur do të rifilloj apo vazhdoj.

“Në sferën e Investimeve kapitale, është përfolur shumë edhe për projektin e mbulimit të “Lumi Mirusha”, e i cili projekt ende nuk është përfunduar, e po ashtu edhe me projektin “Tregu i Gjelbër” i cili nuk dihet kur do të përfundojë. Projekti “Rregullimi i varrezave të reja” është mjaftë jo transparent dhe që nuk dihet si dhe kur do të përfundojë”, ka thënë anëtarja e KK-së, nga radhët e Vetëvendosjes.

Krenare Latifi – Kqiku tha po ashtu se në sferën e Afarizmit Ekonomik, vërehet se Qeveria aktuale e Komunës, shumë pak deklarohet për motivet, inkurajimet dhe stimulimet që do t’i kenë bizneset e reja në themelim.

Respektimi i ligjit të punës e orarit 40 orë në javë, nuk kanë gjetur zbatim as gjatë kësaj periudhe. Shume ankesa vijnë çdo ditë nga punëtorët që obligohen të punojnë gjatë festave e fundjavave pa u kompensuar e me orare të stërzgjatura.

Ajo shtoi se diskriminimi i femrave në punësim, atyre që janë në fazën e krijimit të familjes, e sidomos atyre që duhet te udhëtojnë nga fshatrat gjithashtu është i pranishëm. Inspektorët që paguhen nga taksat tona, nuk janë në nivelin e detyrës dhe përgjegjësisë që kanë marrë.

Po ashtu, punësimet pa konkurs, me kontratë në vepër, në sektorin publik, e sidomos gjatë fushatës për zgjedhjet nacionale që lamë pas, vazhdojnë të jenë, “mashtrimi me kontratë” që u bëhet qytetarëve në kohë zgjedhjesh e fushatash elektorale.

Latifi – Kqiku tha se edhe sot qytetarët përballen me mungesën e ujit, i cili është problem i madh e jetik dhe ende nuk kemi parë një plan serioz për qasje ndaj kësaj problematike që gjithnjë e më shumë po rëndon përditshmërinë e qytetarëve të Gjilanit.

“Ne si subjekt politik, ndajmë të njëjtin shqetësim me qytetarët, që këto trende përkeqësimi po vazhdojnë në dy drejtoritë, si në atë të Zhvillimit Ekonomik, po ashtu edhe në atë të bujqësisë. Kërkojmë nga Drejtoria e zhvillimit ekonomik më shumë transparencë, koordinim dhe llogaridhënie”, ka thënë në fund, Krenare Latifi – Kqiku, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton 2LONLINE.com.

KOMENTE