Krenare Latifi Kqiku: Bashkë për fuqizimin e grave në Komunën e Gjilanit
Gjatë muajit shtator u mbajt takimi inaugurues i Grupit Joformal të Grave në Komunën e Gjilanit, me pjesëmarrjen e asambleisteve të Kuvendit Komunal dhe drejtoreshave komunale.
Gjatë këtij takimi, kryesuese të Grupit Joformal të Grave u zgjodh Albulena Hajdari, ndërsa zëvendëskryesuese Malikije Hoxha.
Krenare Latifi Kqiku ka thënë se në cilësinë e kryesueses së Kuvendit Komunal të Gjilanit, angazhimi i saj do të jetë që, së bashku me anëtaret e grupit, të ndërtojnë një hapësirë bashkëpunimi, ku gratë të kenë mundësi të shprehin idetë, shqetësimet dhe propozimet e tyre për çështje me interes.
“Një nga synimet tona do të jetë zgjerimi i anëtarësisë, duke përfshirë edhe gra jashtë Kuvendit Komunal dhe administratës komunale, në mënyrë që zëri dhe përvoja e grave nga fusha të ndryshme të jetës të jenë pjesë e këtij angazhimi të përbashkët”, ka thënë Krenare Latifi Kqiku .
Ajo shprehu falënderim të veçantë për përfaqësuesin e OSBE-së për avokimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në procesin e formimit të Grupit Joformal të Grave.
“Besoj se, përmes bashkëpunimit, përkushtimit dhe angazhimit të përbashkët, do të kontribuojmë në avancimin e barazisë gjinore dhe në rritjen e rolit të grave në zhvillimin e komunitetit tonë. Bashkë për fuqizimin e grave në Komunën e Gjilanit”, ka thënë Krenare Latifi Kqiku, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit. /2LONLINE/
