Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj deklaratës së Azem Vllasit lidhur me organizatorët e demonstratave të vitit 1981.
Në një postim të ti në Facebook, Krasniqi thotë Vllasit nuk ia ndiente pse u dënuan mijëra shqiptarë, por vetëm karriera tij politike. Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë:
“Këta ishin e ç’na ishin?
Na ishin një herë këta ‘baballarët’ e kombit (Ali Shukriu, Sinan Hasani e Azem Vllasi) që luftën e popullit tonë për liri e pavarësi e cilësuan, hiq më pak se ‘kundërrevolucion’. Dhe kundërrevolucioni sipas marksistë-titistëve jugosllavë donte të thoshte: te luftosh pushtetin e klasës punëtore te Jugosllavisë, të luftosh kundër ‘vëllazërim bashkimit’ e rendit socialist që na paskëshin ndërtuar ata.
Këta, si zbulues të ‘kundërrevolucionit’, arritën të avancohen në detyra të larta shtetërore, pasi ishin dëshmuar si luftëtarët më të zellshëm kundër nacionalistëve shqiptarë, kundër popullit shqiptar. Për ketë soj të njerëzve, nuk qe e rëndësishme pse u dënuan mijëra shqiptarë të rinj e të reja, te cilëve ju shqiptuan qindra e mijëra vite burgu, të cilat po të ktheheshin në shekuj do të bënin 250 shekuj burgimi, por u interesonte karriera e tyre politike. Natyrisht që këtu nuk llogariten ata të rinj e të reja që morën botën në sy, për tu ikur ndjekjeve që urdhëroheshin nga kjo treshe e ‘madhe’. Madje njëri nga ata, sot i vetmi i gjallë, ka sy e faqe (me faqe sa Banati) edhe pas 34 viteve ta mbrojë atë ngrehinë që ka prodhuar më se tri lufta te egra. Çka është e tepërt e tepërt është!
Kjo që e tha Azem Vllasi për pranverën Shqiptare te 81 nuk do të ishte ndonjë shqetësim, se edhe ky si fosilet para tij do të hiqen sysh, por është i dhimbshëm krijimi i ambientit që iu dha krah këtyre mbeturinave te ‘vëllazërim bashkimit’, që vendit e popullit tonë i kanë shkaktuar shumë dhimbje e fatkeqësi. Duke i dëgjuar këto mbeturina te huaja në mesin tonë dhe pasuesit e tyre politik sot, s’na mbetet tjetër veçse t’i shpallim heronj këta bashkëpunëtorë të shovinizmit serbo-jugosllav dhe të bëjmë thirrje për t’i linçuar heronjtë e vërtetë të pranverës shqiptare?! Ne shqiptarët edhe ashtu nisemi si tolerues të skajshëm ndaj tradhtarëve të kombit, ketë e pat vërejtur në mesin e shekullit XIX Flamerajeri, studiuesi gjerman i njohur me veprën e tij ‘Elementi shqiptar në Greqi’”, ka shkruar Krasniq.