Kryeaparlamentari dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, iu ka përgjigjur kërkesës publike që disa orë më herët e ka bërë OVL UÇK, të cilët kërkonin nga Kuvendi i Kosovës që ta përshpejtojnë projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe atë ta vendosin në seancën e së enjtes.
Krasniqi në një përgjigje që ka postuar në rrjetin social Facebook, u ka thënë veteranëve se Kuvendi nuk ka faj për vonesat, dhe se ata nuk duhet të mashtrohen në këto ditë kur kryeministri Thaçi po bënë fushatë elektorale.
“Ne kemi biseduar edhe herëve të tjera dhe besoj që e di ku qëndron problemi, por nuk e kam të qartë pse njerëzit kanë dëshirë të mashtrohen 101 herë në ditë. I nderuar as unë as Kuvendi nuk është fajtor pse ligji nuk është miratuar”, ka shkruar kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Krasniqi ka shkruar se kryeministrit Thaçi nuk i ka rënë në mend këto gjashtë vitet e fundit, por këtë sipas tij po e bënë kur po i duhen votat.
“Pse qeveria nuk e solli ligjin më herët? Pse Komisioni Qeveritar nuk e përfundoj obligimin e marr nga Qeveria për nr të veteranëve? Pse Qeveria nuk bëri identifikimin e veteranëve që kanë gjendjen e rëndë ekonomike? Pse qeveria nuk e bëri një plan për punësimin e atyre njerëzve për të cilët nuk i ra ndërmend gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së Thaçit e i bie tani kur i duhet vota e tyre?”, ka shkruar kryeparlamentari Krasniqi.
Sipas Krasniqit, veteranët dhe shumë kategori të tjera që kanë marrë premtime nga Thaçi për rritje rrogash, janë duke u mashtruar.
“ Ligji sigurisht që do të miratohet, por a është planifikuar në buxhetin e vitit 2014? Ai, Kryeministri ashtu si po luan me veteranet, po luan me ju dhe të burgosurit politikë dhe me gjithë skamnorët e Kosovës. Me të gjithë të papunët e Kosovës. Ai, para pak dite ua rriti rrogat zyrtarëve të lartë, disa herë më shumë sesa kategorive që marrin lëmoshë nga Qeveria Thaçi. Kush donë të mashtrohet le të mashtrohet. Unë nuk mbaj përgjegjësi as për mashtruesin e as për ata që donë të mashtrohen”, shkruan Krasniqi më tej.
Krasniqi ua ka rikujtuar veteranëve se Thaçi, është ai që ka shumicën në Kuvend dhe mund të bëjë çfarë të dojë.
“Ta dish edhe ketë: Sa herë që ka pasur kërkesa për të bërë shmangie nga Rregullorja e Punës së Kuvendit, unë i kam hapur udhë pa e bërë as më të voglën pengesë. Por që ta dish, nëse nuk e di, shumicën ne Kuvend e ka koalicioni qeverisës që komandohet nga Thaçi. Ti e di që me komandën e Thaçit, Behxhet Pacolli është bërë President i Kosovës. Pse nuk është miratuar ligji është dashur ta pysësh Thaçin?!o”, ka përfunduar së shkruari kryeparlamentari Krasniqi.