Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në rrjetin social Facebook, ka reaguar pas deklaratës së Ulurike Lunacek, se liberalizimi i vizave për kosovarët do të realizohet pas 2 ose 3 vitesh. “Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë të jenë të getoizuar në Evropën e vlerave perëndimore. Qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë në vendet e BE-së”, ka thënë ai.
“Sigurisht që rruga e integrimit të Kosovës në BE do të jetë e gjatë, se në këtë rrugë duhet përmbushë shumë obligime e detyra të shtëpisë nga ana e qeveritarëve tanë. Përgjegjësia kryesore për këtë rrugë, sigurisht që është e politikes së Kosovës e më drejt për se drejti e partive që e formojnë koalicionin qeverisës.
Deri më tani koalicionet qeverisëse që kanë qeverisur me vendin nuk kanë treguar një vullnet të mirëqenë për të përshpejtuar integrimin në institucione euroatlantike. Integrimi nuk behet me fjalë. Por, tani për tani kjo nuk është tema që duhet të merremi me te. Tema që meriton të merremi tani është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Pse?
1. Në regjistrimin e fundit u pa se Republika e Kosovës nuk i ka as dy milion banorë dhe ky numër nuk përbenë ndonjë rrezik për 500 milion banorët e BE-së;
2. Qytetarëve të Kosovës duke ju mohuar lëvizja e lirë krijohet përshtypja se ata nga BE-ja janë mbyllur dhe izoluar në një geto, gjithsesi kjo është përshtypje tejet e keqe;
3. Nëse kjo masë është vendosur për shkak të krimit të organizuar, mos sundimit të ligjit apo të mos gatishmërisë së qeveritarëve për t’i përmbushur standardet evropiane, dënimi po shkon për qytetarët dhe njerëzit që më se paku janë përgjegjës për dukurit e përmendura. Përkundrazi, kriminelët po i gjejnë rrugët e lëvizjes dhe po ata po merren edhe me trafikimin e njerëzve të pafajshëm edhe duke i gjobitur pa mëshirshëm, ndërsa qeveritarët po janë bashkëbiseduesit e rregullt në Brukselin zyrtar dhe përtej tij;
4. Republika e Kosovës nëse krahasohet me vendet tjera të Ballkanit Jugperëndimor sa i përket krimit, korrupsionit, trafiqeve të ndaluara, mediave të lira, të drejtës dhe lirisë së njeriut dhe të komuniteteve pakicë, nuk ka ndonjë dallim të dukshëm me vendet e rajonit, përkundrazi, Kosova, qeveritarët e saj kanë treguar një gatishmëri shumë më të madhe për t’i kapërcyer mosmarrëveshjet me fqinjët, me pakicat etnike, shpesh edhe në dëm të funksionimit të institucioneve të shtetit; dhe
5. Të gjitha këto janë argumente se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë të jenë të getoizuar në Evropën e vlerave perëndimore. Qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë në vendet e BE-së”, ka shkruar Krasniqi.