Kryetari i Këshillit Kombëtar në Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka shkruar në profilin e tij se Kushdo që i përcjellë zhvillimet politike në Republikën e Kosovës, qeverisjen e dështuar, nuk mund të mos arrin në përfundim se situata ekonomike dhe politike është goxha e pa shpresë.
Ja postimi i plotë:
Kushdo që i përcjellë zhvillimet politike në Republikën e Kosovës, qeverisjen e dështuar, nuk mund të mos arrin në përfundim se situata ekonomike dhe politike është goxha e pa shpresë.
Ditë më parë shkrova dy shkrime që temë bosht kishin profilizimin e partive politike mbi baza ideologjike dhe programet e tyre politike e zhvillimore, të cilat programe duhet t’ju afrohen qytetarëve, që ata më pas të përcaktoheshin për ofertat e tyre, politike dhe ekonomike. Që nga fillimi i pluralizmit politik, qytetarët kanë vrapuar pas individëve dhe ai vrapim na ka sjellë këtu ku jemi!
Për të dalë nga kjo situatë shumë e keqe mendoj se duhet urgjentisht të bëhen disa reforma të domosdoshme në menaxhimin e pasurisë kombëtare:
Së pari, Republika e Kosovës duhet të nis rrugën për Reformimit të thellë të Sistemit të Drejtësisë dhe ngritjen e kapaciteteve ligjbërëse sipas standardeve më të avancuara të botës demokratike. Mungesa e një reforme të mirëfilltë në Sistemin e Drejtësisë, është pasojë e mungesës së vullnetit politik të njerëzve të fuqishëm të veshur me pushtet politik e institucional. Nuk ka asnjë dyshim, ndërkombëtaret këta njerëz po i përdorin për të bërë marrëveshje të dëmshme me Serbinë?! Marrëveshje që po e lënë vendin pa sovranitet e dinjitet. Dëshmia më e mirë e kësaj janë bisedimet politike nën mbikëqyrjen e Brukselit të zhvilluara në mes Kosovës e Serbisë. Nga të cilat bisedime, Kosova dhe qytetarët e saj nuk kanë përfituar asgjë. Nuk ka asnjë dyshim, reformimi i Sistemit të Drejtësisë nuk bëhet me lehtësinë e deklarimeve “mbështetëse” të krerëve të shtetit të një aksioni spektakular të policisë, të prokurorisë në bashkëpunim më EULEX-in?! Mbështetja e sundimit të ligjit, e policisë, prokurorisë dhe EULEX-it, është dashur të bëhej para shumë viteve, pse jo edhe ndaj atyre që vrapojnë t’i “mbështesin” aksionet spektakulare ndaj kujtdo tjetër, edhe ndaj vartësve e bashkëpunëtorëve të tyre shumëvjeçar?! Lehtësia për të “mbështetur” spektakle të tilla, nuk vjen nga “gatishmëria” për të respektuar drejtësinë e vonuar, por për të shpëtuar lëkurën e vet! Rasti i fundit po konfirmon se edhe ata që kanë fuqi ta pengojnë sundimin e ligjit, vjen një ditë që ligji me pa ligjësi i godet! Prandaj të gjithë duhet të jemi për sundimin e ligjit. Nëse nuk dëshirojmë që t’na godet pa ligjësia!
Se dyti, Republikës së Kosovës, pas 17 viteve të lirisë e tetë viteve të pavarësisë duhet t’i vej bazat për Krijimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik, e cila Kosovës i mungon edhe sot e kësaj dite. Pa Planin Strategjik Zhvillimor, ne si shtet e komb do të vazhdojmë të ecim në jeremllëk, pa asnjë planifikim dhe do të ecim me improvizimin e çdo gjëje, ashtu si filluam të ecim në vitet e ’90-ta. Tamam në atë mënyrën si thotë populli ynë: “Çka të bie në lugë”! E luga nuk nxjerr gjë nga vegshi, nëse aty se kemi vendosur atë që duhet nxjerrë nga ai. Kështu i kaluam 17 vjetet e lirisë e tetë vitet e pavarësisë. Nuk besoj që ka ndonjë vend në Evropë që mund të funksionoj pa një planifikim strategjik të zhvillimit, i cili qartëson e projekton sesi duhet përdorur resurset nacionale të zhvillimit e të progresit. Nëse nuk kemi Strategji të Zhvillimit Ekonomik, kjo nuk e ka penguar koalicionin qeverisës, që të kemi Kabinetin qeveritar, më të madhin në Evropë e mbase në Botë?!
Se treti, sikur të kishte vullnet që të zhvillohet vendi vetëm me pagesat e dyfishta dhe të trefishta të funksioneve qeveritare do të ishin siguruar mjetet financiare për krijimin e komisioneve të ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët, në secilën fushë specifike, do të përpilonin planet zhvillimore të mbështetura në ekspertiza profesionale. Sa e sa herë është dëshmuar se qeveritë tona të deritashme, as nuk dinë e as nuk dëshirojnë të marrin vendime të guximshme për investime e zhvillim të vendit. Për shembull, për t’i shfrytëzuar resurset natyrore të thëngjill linjitit dhe të mineraleve të ndryshme që i kemi me bollëk e shoh të domosdoshme themelimin e një komisioni ekspertësh të mineralogjisë ( të thëngjillit e të metaleve tjera), të cilët me analizat e detajuara dhe të mbështetura në kriteret shkencore do të t’i jepnin rrugëzgjidhje të drejtë shfrytëzimit të linjitit për energjinë elektrike dhe Kompleksit të Trepçës, si shtylla të zhvillimit të vendit tonë. Ne, që biem e zgjohemi mbi pasuri të “fjetura”, duhet që t’i krijojmë instrumentet e shfrytëzimit e të zhvillimit. Këto pasuri që janë seriozisht të rrezikuara, janë perspektiva e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Po bëhen gati dy vjet dhe qeveria Mustafa nuk e solli në Kuvend ligjin për Trepcen. Kjo është njëra nga shumë dëshmit se ky koalicion qeverisës nuk është bërë për interesin e qytetarëve, por të grupeve të ngushta që i rrethojnë krerët e koalicionit të tashëm.
Se katërti, Gjatë gjithë këtyre viteve është folur e përfolur se Procesi i Privatizimit është përcjellë me defekte të shumta, se ka pasur përvetësime të shumta në tjetërsimin e pasurisë shoqërore, publike e komunale. Prandaj, para shtetit, si institucion ligjbërës, mbikëqyrës e përfaqësues, ka një obligim që të formoj një komision i cili duhet në mënyrë profesionale ta kontrolloj gjithë procesin e privatizimit. Por, ky proces duhet të hetohet nga Prokuroria e shtetit dhe fajtoret duhet të nxirren para drejtësisë. Ketë ndryshim assesi nuk mund ta presim nga kjo qeveri që prioritet ka rahatimin e akrabave.
Se pesti, gjatë këtyre viteve, qeveritë tona nuk kanë arrit t’i dhënë një zhvillim meritor asnjë niveli të Arsimit, përkundrazi e kanë degraduar më shumë se edhe para luftës çlirimtare. – Niveli i Arsimit dhe i Shëndetësisë, nuk besoj që është në përputhje me kapacitetet profesionale që i kemi në këto segmente të rëndësishme pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim të mirëfilltë. Kjo gjendjeje e degraduar në këto procese të rëndësishme për kombin kërkon një mobilizim të ekspertëve të arsimit e të shëndetësisë për një planifikim e reformim substanciale në këto segmente të rëndësishme në Republikën e Kosovës. Me këta njerëz që i kanë degraduar arsimin e shëndetësisë deri në këtë nivel të ulët nuk kanë shans që të marrin kthesën e domosdoshme as arsimi e as shëndetësia.
Asnjëra nga këto që u thanë nuk mund të realizohen pa një vullnet ndryshe të politikës e të shoqërisë sonë si tërësi. Për t’i arritur këto duhet për t’i avancuar në pozita kyçe njerëzit e ditur, të përgjegjshëm e të përkushtuar, ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët nuk i mungojnë vendit e kombit tonë. Pa njerëzit e ditur e të përkushtuar nuk mund të ndërtohet Shteti i së Drejtës, i cili i duhet këtij vendi, si buka, ujë e drita jetës mbi tokë.
Këta njerëz (të arsimit e të shëndetësisë) që mund ta bëjnë ndryshmin i kemi në mesin tonë. Nga politika kërkohet vullnet për t’i gjetur dhe për t’ju krijuar hapësirën e duhur për kontribut profesional, intelektual e kombëtar. Ky është obligimi i institucioneve të shtetit, por njerëzit që janë në institucione, kanë mungesë të madhe vullneti, mbase dhe dije për të punuar me përkushtim për kombin e shtetin.